“Nëse do vazhdojmë të jemi indiferentë, situata do të jetë trishtuese”, prefekti i Gjirokastrës flet për largimin masiv të njerëzve
Për shpopullimin e Gjirokastrës dhe largimin masiv të njerëzve, sidomos të të rinjve, nuk flitet vetëm nga përfaqësuesit e partive opozitare. Ky zhvillim dramatik i viteve të fundit pranohet tashmë edhe nga zyrtarë të mazhorancës. Prefekti i qarkut, Odise Kote, gjatë një takimi për nxitjen e programeve të punësimit, ndër të tjera është shprehur:
“E gjithë sfida jonë është ripopullimi i qarkut Gjirokastër. Nëse do të vazhdojmë të jemi indiferentë ndaj kësaj gjëje sigurisht që rezultatet nuk do të jenë të mira dhe situata nuk do të jetë ajo që duhet, nuk do të jetë optimale, në rastin më të keq do të jetë trishtuese”, tha Kote.
Gjirokastra është një ndër qarqet me largimet më të shumta të popullsisë përgjatë viteve të fundit. Arsyet janë komplekse, por ndër më kryesoret renditet papunësia dhe mungesa e një perspektive të qartë zhvillimore.