Nesër Fiter Bajrami, besimtarët drejt xhamisë së Libohovës dhe Melanit. KMSH: Të lutemi për Gazën
Besimtarët myslimanë përcjellin sot muajin e Ramazanit për të pritur nesër Fiter Bajramin. Që në orët e para të mëngjesit do të nisin ritualet që bëhen për këtë ditë të shënuar. Besimtarët i drejtohen xhamive dhe teqeve për t’u falur dhe lutur për ditë më të mira dhe harmoni mes njëri-tjetrit.
Ky është Fiter Bajrami i parë që kremtohet në xhaminë e re të Libohovës, ndërsa tre ditë më parë në një prej restoranteve të qytetit u shtrua iftar për nder të Ramazanit. Besimtarët myslimanë suni do të shkojnë te xhamia e Libohovës, ndërsa bektashinjtë i drejtohen teqesë së Melanit në Nepravishtë apo teqesë së Zallit në Gjirokastër.
Skëndër Brucaj, kreu i KMSH-së bëri sot urimin e tij për Fiter Bajramin. Ai i uroi besimtarët për më shumë paqe dhe begati, ndërsa shprehu edhe lutje për paqe në Gaza të Palestinës ku prej disa ditësh zhvillohen luftime me Izraelin, si dhe për në Irak, Siri dhe kudo ku shkelen të drejtat e njeriut.
“Ne sot përcjellim muajin e Ramazanit për të pritur Bajramin. Bajrami është simboli i paqes, moment i lartësimit të allahut, i lehtësimi të shpirtit , dita e shpresave. Bajrami është dita kur hatërmbetjet dhe smira marrin fund. Bajrami është solidarizimi në mbarë njerëzimin. I lutem zotit të madh në këtë ditë të Bajramit për paqe gëzim dhe harmoni”, u shpreh Brucaj.