Nesër merret vendimi për çmimin e ri të energjisë elektrike
Nesër Enti Rregullator i Energjisë pritet të zyrtarizojë çmimin e ri të energjisë elektrike që konsumatorët do të paguajnë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Ende nuk ka një të dhënë zyrtare se sa do të jetë çmimi i energjisë elektrike, por mësohet se çmimi i energjisë për familjarët pas 1 janarit pritet të luhatet nga 9.3 në 9.6 lekë për kilovat/orë . Ky çmim është dukshëm më i ulët nga niveli prej 12 lekë që patën kërkuar tre kompanitë publike të sistemit, KESH, OST dhe OSSHE.
Aktualisht çmimi i energjisë për familjarët është i përshkallëzuar me dy nivele, ku 300 kilovat/orët e para paguhen me 7.7 lekë, ndërsa sasia sipër këtij niveli konsumi tarifohet me 13.5 lekë.
Ishte vetë kryeministri Edi Rama ai që më herët njoftoi heqjen e fashës mbrojtëse prej 300 kilovat/orë. Rama ka theksuar se çmimi do të jetë i mesatarizuar. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe ka deklaruar se nuk do të ketë rritje çmimi për qytetarët as mbi 10 lekë.
Ai është shprehur edhe më herët kundërkërkesave të tre operatorëve për rritje të çmimit, dhe i ka kërkuar ERE-s të marrë përgjegjësinë që të mos lejojë që keqmenaxhimi në sistem të bëhet argument për tarifat e reja. /A1 report.