Nga 1 janari tarifa të njëjta për thirrjet jashtë rrjetit
Autoritetit i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka marrë një vendim në bazë të të cilit çdo thirrje jashtë rrjetit do të ketë çmim të njëjtë nga 1 janari.
Drejtori Rregullator i Tregut pranë AKEP, Altin Rrapaj, shpjegon se një vendim i tillë synon rritje të konkurrencës dhe më shumë përfitim nga qytetarët.
“Vendimet e AKEP synojnë që nga 1 janari, 4 operatorët celularë të mos dallojnë për thirrjet brenda rrjetit dhe jashtë rrjetit, përfshirë edhe ofertat apo minutat e përfshira në oferta. Ky vendim duhet të zbatohen nga operatorët celularë duke filluar nga 1 janari”, shprehet Rrapaj për Ora News.
Ndërkohë AKEP synon që të balancojë dhe tarifat. Sipas Rrapaj në Shqipëri tarifat vlerësohen në nivel mesatar por përsëri tregu po analizohet.
“Ajo që është vënë re është që konkurrenca ka qenë intensive por e fokusuar në tarifat e thirrjeve brenda grupeve brenda rrjeteve dhe këto janë shumë të lira. Ndërkohë tarfat e thirrjeve standarde janë më të larta. Mesatarisht tarifat në Shqipëri janë në nivel mesatar në rajon, madje edhe me e ulët se vendet e BE”, thotë ai.