Nga berberi te kryetarja e Kardhiqit, drugdhendësi e mësuesi i pikturës, kush janë 10 të vlerësuarit nga Rama si “Krenari e Komunitetit” në Gjirokastër (VIDEO)
Në takimin e fundit të zhvilluar në Gjirokastër, kryeministri Edi Rama, ministrja Kumbaro dhe kryebashkiaku Golemi kanë vlerësuar 10 persona si heronj të së përditshmes, njerëz të zakonshëm që kanë spikatur në qytet me punën apo historinë e tyre. Më poshtë lista e plotë e prezantuar mbrëmjen e sotme nga Kumbaro e Golemi.
Elmira Jovani– Një zonjë që ka punuar me dhe pa orar si krye-vaksinatore për të përshpejtuar një proces të domosdoshëm për t’u mbrojtur nga flama e Covid. Elmira ka mirënjohjen e të gjithëve për gjithçka ka bërë gjatë këtyre dy viteve intensive të vaksinimit.
Ardit Kasaj– Një i ri i kthyer nga emigracioni në vendlindjen e tij, ku ka investuar për ngritjen e një salloni për meshkuj. Ka disa të punësuar dhe shumë kursantë të tjerë që marrin zanatin e berberit. Pa krijuar xhelozi e qejfmbetje, besoj ka ka një dakordësi të gjerë, sot për sot të paktën, që Arditi është berberi më i famshëm në Gjirokastër. Njësoj si PS-ja që është e pakonkurrueshme, edhe Arditi tani për tani nuk konkurrohet nga njeri këtu tek ne.
Viktor Nurçe– Fjalëpakë e punëshumë, duarartë dhe i papërtuar kur është fjala te përpunimi i drurit. Tani që Gjirokastra ka hyrë në një fazë të re zhvillimi të turizmit dhe zgjerimit të bizneseve, duhet të zësh radhë kohë më parë për të porositur tek Viktori. Nuk është thjesht mjeshtër i punimit të drurit, por edhe njohës i shkëlqyer i traditës së këtij zanati në Gjirokastër këtu e shekuj më parë. Punishtja e tij këtu afër nesh hapet shpesh edhe për grupe turistike që janë kuriozë të shohin nga afër teknikat e punimit të drurit.
Kozeta Braja – Administratore e një biznesi fason që ka punësuar qindra gra e vajza. Jo vetëm kontribuon në ekonominë e qytetit përmes biznesit të saj, por Kozeta është këtu sot edhe si një shembull i fortë përballë sprovave që të vendos jeta. Me durim, kurajo dhe shpresë ajo po fiton betejën me kancerin.
Marsel Sulaj– Një tjetër i ri që la emigracionin për të investuar në vendlindje. Bashkë me familjen e tij ai është në hapat e para të një agroturizmi, që gjithnjë e më shumë po kthehet në pikë referimi për mijëra turistë vendas e të huaj, që duan të shijojnë në Gjirokastër produkte direkt nga ferma. Restoranti i tij “Te fuçitë” është ndër më të vlerësuarit nga turistët në platformat online ndërkombëtare.
Elvira Gjoça – Përveçse e kemi kryetare të shkëlqyer të fshatit Kardhiq, bashkë me dy djemtë e saj kanë një fermë të madhe me mbi 500 krerë të imta. Po punojnë me përkushtim që fermën e tyre blegtorale ta kthejnë në një pikë agroturistike, duke parë sidomos perspektivën që ka tashmë zona e Cepos me bërjen e rrugës Kardhiq-Delvinë.
Gazmend Koçollari– Një mësues i spikatur i pikturës në shkollën e mesme artistike të Gjirokastrës. Përveçse ka përgatitur sa e sa breza nxënësish për vite me radhë, me pasionin e tij për artin ai është autor i disa ekspozitave. Të mbash gjallë jetën artistike në qytet nuk është një punë e lehtë, prandaj njerëz si Gazmendi meritojnë mirënjohjen dhe vëmendjen tonë të veçantë.
Alvaro Çenko – Një tjetër pinjoll nga Dinastia Çenko do të thoja unë kur vjen fjala tek kënga polifonike gjirokastrite. Jo vetëm një interpretues i shkëlqyer i këngës polifonike, por Alvaro punon gjithashtu edhe në sektorin e hoteleri-turizmit në qytet. Dhe përveç kësaj, pasionin për isopolifoninë e ka zhvilluar më tej duke themeluar edhe grupin e ri “Nektari i Polifonisë”.
Motrat Androniqi dhe Ardita Koçollari- Janë një histori suksesi sesi pasioni për artizanatin shndërrohet në një biznes për të siguruar të ardhura dhe për të ndërtuar këtu të ardhmen e tyre. Sipërmarrja që ato kanë sot është një pikë referimi për turistët në Pazarin e rilindur. Denjësisht përfaqësojnë Gjirokastrën në panaire brenda e jashtë vendit.
Bledi Hatika– Kur bëhet fjalë për punimin e gurit dhe në mënyrë të veçantë për restaurimin e çative tona karakteristike, mendja të shkon tek Bledi Hatika. Sa e sa çati dhe punime të tjera guri në Gjirokastër janë bërë nga duart e tij. Janë të paktën 4 breza të familjes Hatika që e kanë trashëguar këtë zanat dhe s’ka dyshim që do të ketë vijimësi edhe në gjeneratat e tjera.