Nga nesër policia kalon në gjendje gadishmërie
Duke filluar nga 18 dhjetori, forcat e policisë së shtetit do të kalojnë në gjendje gadishmërie. Urdhri është firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, me qëllim garantimin e sigurisë dhe rendit përgjatë festave të fundvitit.
Strukturat e Policisë në nivel qendror e vendor kanë hartuar dhe do të zbatojnë një plan masash për parandalimin dhe hetimin e veprimtarisë kriminale, garantimin e rendit si dhe menaxhimin e trafikut rrugor e parandalimin e aksidenteve.
Masa shtesë do të ketë edhe në Pikat e Kalimit Kufitar, për të rritur standardet e shërbimit dhe për të përballuar fluksin e hyrje – daljeve të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në këto ditë festash.
Departamentet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoritë e Policisë në Qarqe, Drejtoritë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Komisariatet e FLO kanë organizuar punën për zbatimin e masave gjatë kalimit në Shërbim të Përforcuar.
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ngritur dhe funksionojnë grupet e drejtimit operativ.
Ndërkohë drejtuesit e strukturave të policisë vendore gjithashtu kanë marrë masat për parandalimin e veprimtarisë kriminale dhe garantimin e rendit publik gjatë periudhës së festave të fundvitit 2014 dhe Vitit të Ri 2015.