Ngjarja në Dropull, ish-ministri shokon grekët: Nuk ka Vorio-Epir, Kaçifas u vra në jug të Shqipërisë. Çfarë do thoshit të vinte një turk dhe të ngrinte flamurin turk në Greqi? (VIDEO)
Vrasja e Kostandinos Kaçifas pak javë më parë në Bularat nga forcat RENEA, gjatë një shkëmbimi zjarri, solli debate dhe reagime në të dyja anët e kufirit.
Ndërkohë ish-ministri grek i Arsimit, Nikos Filis, dhe deputet i partisë qeverisëse Syriza, ka dalë kundër bashkatdhetarëve të tij ndërsa ka thënë se Kaçifas nuk është vrarë në të ashtuquajturin Vorio-Epir, por është vrarë në jug të Shqipërisë. Këtë deklaratë Filis e bëri gjatë një interviste Live, për ‘Tv Creta’.
“Është Jugu i Shqipërisë. E them sërish dhe jam i kujdesshëm në atë që them. Është Jugu i Shqipërisë dhe jo Vorio-Epiri. Janë territore shqiptare, ka dominim të popullsisë shqiptare dhe aty jeton edhe minoriteti grek, që fatkeqësisht është në një masë të vogël për shkak se janë larguar. Por kjo është histori tjetër“, ka thënë Nikos Filis.
Gjithashtu ai ka argumentuar gjithashtu se veprimi i policisë shqiptare, që iu kundërpërgjigj breshërisë së kallashnikovit të qëlluar nga Kostandino Kaçifas, është tërësisht i mirëkuptuar.
“Një person merr kallashnikovin në një vend të huaj dhe ngre flamurin grek. E imagjinoni dot sikur një turk të vijë në Traki me kallashnikov dhe të ngrejë flamurin turk e të qëllojë kundër policisë, çfarë do të thonit”, argumenton deputeti dhe ish-ministri grek Nikos Filis.
Minoritari grek Kostandino Kaçifas u vra nga forcat speciale të RENEA-s më 28 Tetor në fshatin Bularat të Dropullit në Gjirokastër pasi qëlloi me breshëri kallashnikovi ndaj policisë.