Nis viti akademik 2014-2015, ministrja Nikolla uron studentët
Nis sot viti i ri akademik 2014-2015 në të gjitha Universitetet publike dhe private të vendit. Janë 46 institucionet e larta arsimore që kanë çelur sot dyert për të pritur studentë. Ky vit i ri akademik nis me 18 universitete më pak se një vit më parë, të mbyllur pas vendimit të qeverisë për shkak se nuk plotësonin kriteret ligjore.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla uroi të gjithë studentët nga Rektorati i Mjekësisë, për çeljen e vitit te ri akademik. “Arsimi nuk është një ishull i vetmuar që i përket Ministrisë së Arsimit dhe vetëm qeverisë, por na përket të gjithëve dhe të gjithë duhet të jemi pjesë e një angazhimi të ri plot pasion, mendje dhe zemër për të formësuar cilësi në arsimin e lartë”- deklaroi ministrja.
Ministrja e Arsimit theksoi se në muajin dhjetor do të nisë procesi i akreditimit dhe rankimit të universiteteve.
Agjencia Britanike QAA do të nisë kontrollin e cilësisë në të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë, e cila do të pasojë me akreditimin dhe rankimin.
Aktualisht, mungojnë statistikat zyrtare lidhur me numrin e studentëve që ulen për herë të parë në auditore apo numrin e përgjithshëm në të gjitha vitet e studimit, për shkak se vijon ende regjistrimi i studentëve të universiteteve të mbyllura. Edhe këtë vit studentët do të jenë të detyruar të zhvillojnë mësimin me dy turne. Auditoret do të jenë të hapura deri në orët e mbrëmjes, për shkak të mungesës së infrastrukturës.