Nishani dekoron efektivin e RENEA-s që u vra në Lazarat
Presidenti Bujar Nishani i ka dhënë sot Dekoratën e Artë të Shqiponjës, Ibrahim Bashës, oficerit të RENEA-s që u vra në Lazarat pak muaj më parë gjatë operacionit anti kanabis. Në ceremoninë e mbajtur në Presidencë, kreu i shtetit u shpreh se drejtësia duhet të ndëshkojë autorët e vrasjes së Bashës si dhe institucionet duhet të marrin masa për të krijuar një jetesë normale për familjarët e efektivëve të Policisë.
“Si President i Republikës, ju garantoj se nuk do të rresht asnjë moment së kërkuari nga organet ligjzbatuese dhe ato gjyqësore që drejtësia për Ibrahimin të bëhet, e plotë dhe fajtorët të marrin dënimin që meritojnë! Që drejtësia të punojë dhe zëri i saj të dëgjohet fort në mbështetje të organeve ligjzbatuese që ndeshen çdo moment me krimin e organizuar! Si Kreu i Shtetit do të vijoj të kërkoj vëmendjen maksimale të organeve shtetërore për krijimin dhe funksionimin e instrumentave të nevojshme që garantojnë një jetesë normale për vetë efektivët e policisë, për familjet e tyre që jo rrallë janë ndeshur me fatin e keq të ndarjes nga jeta të të dashurit të tyre dhe jo rrallë nuk kanë mundur të gëzojnë kushtet e duhura lehtësuese për fëmijët dhe familjarët e të rënëve në krye të detyrës!” – vuri në dukje Presidenti.
Ibrahim Basha mori Dekoratën e Artë të Shqiponjës me motivacionin “për merita dhe shërbime të veçanta në luftë me grupe të strukturuar kriminale për garantimin e rendit dhe sigurisë publike; për trimëri dhe kontribute të spikatura në operacionet luftarake në Afganistan dhe Irak, në mbrojtje të paqes dhe lirisë, në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar”.