Nisma e nxënësve në Gjirokastër, shpërndajnë 1 mijë çanta ekologjike (VIDEO)
Elisabeta Majko është banore e zonës historike të Gjirokastrës dhe për herë të parë po përdor çantën e copës për të bërë pazar. Ajo thotë se për blerjet e përditshme familja e saj grumbullonte të pakten 10 qese plastike. Ajo e shikon këtë këmbim si zgjidhje shumë praktike. “Mendoj se është më mirë dhe më praktike për tu përdorur”, thotë Elisabeta. Nisma që shpërndau në të gjithë qytetin rreth 1000 çanta prej cope për qytetarë erdhi nga 200 fëmijë të shkollës “Andon Zako Çajupi”. Brenna, vullnetare e Korpusit të Paqes në Gjirokastër tha se u bë pjesë e kësaj iniciative pasi pa sesa shqetësuese ishte ndotja në një qytet ku turizmi po rritet me shpejtësi.
“Gjirokastra po vizitohet nga shumë turistë që befasohen nga historia dhe banesat e saj. Problemi kryesor që i shqetëson është ndotja. Çdo ditë vetëm për blerje familjet përdorin qindra kg qese plastike që përfundojnë në mjedis kështu që menduam se ky hap i parë do të ndryshojë diçka”, thotë Brenna Moran, vullnetare.
“Gjirokastra e Pastër”u emërtua programi që edukoi në shkollë për 6 muaj situatën alarmante që mund të shkaktojë ndotja. Drejtuesja e programit thotë se ndikimi ka qenë i menjëhershëm në mjedis. Agjencia e Shërbimeve Publike në Gjirokastër zotëron 5 mjete nga të paktën 9 të nevojshme për transportin e mbetjeve dhe ka një mungesë të theksuar kontenierësh depozitimi./tch