Një histori idiote me Lorik Canën si patriot
Disa media on line kanë shpërndarë prej dy ditësh një lajm absurd sipas të cilit kapiteni i kombëtares kuq e zi, Lorik Cana ka rrefuzuar një ofertë nga klubi i madh grek “Olimpiakos” dhe këtë e paskësh bërë në emër të patriotizmit. Lajmi i hartuar fillimisht nga faqja e Supersport she i shpërndarë gjithandej fillonte me fjalinë patetike:”Një kapiten mbetet gjithmonë një kapiten, aq më tepër kur udhëheq Shqipërinë. Fanella e kombëtares është lëkura e dytë e Lorik Canës që i ka thënë jo një propozimi interesant për të në aspektin e karrierës duke refuzuar një ofertë të leverdishme të Olympiacos”.
Në fakt gjendja e mbrojtësit shqiptar tek skuadra e Lazios është e vështirë. Ai nuk bën më pjesë në planet e skuadrës deri në atë pikë sa nuk është përfshirë as në listën e lojtarëve që do të aktivizohen në Champions. Drejtuesit e Lazios i kanë bërë të ditur se mund ta lënë të lirë me parametra zero edhe pse ka edhe një vit kontratë dhe kështu ai kishte mundësinë të nënshkruante një marëveshje të mirë në Athinë. Mirëpo sipas lajmit të përhapur Cana e ka hedhur poshtë këtë ofertë duke pasur si motiv ndjenjat që tifozët e klubit grek ushqejnë ndaj shqiptarëve.
“Në aspektin e karrierës për Canën mund të kishte qenë një destinacion interesant për vetë buxhetin dhe ambiciet që disponon Olympiacos si dhe mundësinë për të luajtur në Champions League, madje grekët i kanë ofruar një pagë më të lartë se te Lazio por kaq nuk mund të mjaftonte për dikë me statusin e Canës që mbi të gjitha është kapiten i Shqipërisë, lider i ekipit kuq e zi në dhomat e zhveshjes dhe idhull i tifozëve shqiptarë në mbarë botën. Pikërisht për këtë arsye Cana ka refuzuar transferimin në Greqi duke i bërë të ditur Olympiakos se gëzon respektin maksimal për klubin grek, por nuk mund të transferohet diku ku egziston mundësia e një raporti konfliktual me tifozët” thuhet në lajm.
Po a është i vërtetë? Në fakt në tekst nuk ka asnjë citim të vetë Lorik Canës ndaj nuk dihet nëse ai ka pasur një ofertë të tillë dhe për më tepër a e ka rrefuzuar atë për këto motive? Nëse do të qe kështu do të ngrihej pyetja nëse ai sillet si patriot profesionist apo si futbollist profesionist. Por ajo që të godet më shumë është toni patetik prej nacionalisti që i jep këtij lajmi Supersporti dhe mediat që e kanë vjedhur prej tij.
Në vend të ironisë kjo JO e Canës paraqitet si një akt historik, ajo ilustrohet me një foto epike dhe në mënyrë qesharake mbyllet me shprehjen se Loriku “kurrsesi nuk mund ti lejonte vetes një marrëdhënie ku egzistonte dhe mundësia më e vogël që të cënohej në cdo lloj mënyre krenaria e tij kombëtare. Mbi të gjitha ai është kapiteni i Shqipërisë”. shkruhej në faqen e “Supersport”, fiks nën logjikën e re të kësaj kompanie për të mbajtur lart numrin e shitjeve përmes nacionalizmit.