Një i burgosur shqiptar mbron doktoraturën nga Skype me vlerësimin “shkëlqyer”
I burgosuri për drogë dhe prostitucion, dënuar me 27 vjet në Itali, Alban Bardhi, ka mbrojtur Doktoraturën për Histori–Gjeografi në Universitetin e Romës nëpërmjet Skypes, nga dhoma e paraburgimit të “Mine Pezës,” ku është vendosur që prej ekstradimit nga Italia një muaj më parë.
Bardhi, jo vetëm që e ka mbrojtur Doktoraturën, por ka marrë edhe vlerësimin maksimal prej 110 pikësh nga pedagogët italianë përtej ekranit duke hyrë kështu në historinë e burgjeve dhe të arsimit njëkohësisht.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar se dje, është zhvilluar me sukses për herë të parë në Shqipëri një provim online nga ana e një të burgosuri. Përmes teknologjisë elektronike me anë të një lidhje të drejtpërdrejtë në Skype, provimi u dha nga Alban Bardhi, i paraburgosur në IEVP “Mine Peza”.
Kjo risi u mundësua nga një bashkëpunim i DPB dhe Konsullatës Italiane në Tiranë. Nga ana e drejtorisë së Paraburgimit “Mine Peza” u morën masat e nevojshme për ta zhvilluar provimin në një zyrë të veçantë, të pajisur me kompjuter me kamera dhe mikrofon, në kushtet e sigurisë dhe mbarëvajtjes normale të procesit të provimit.
Bardhi dha provim për mbrojtjen e Doktoraturës për profilin e studimeve në degën e Histori- Gjeografisë. Në anën tjetër të ekranit ka qenë i pranishëm komisioni i vlerësimit të provimit, i cili përbëhej nga pedagogë të Universitetit të Romës në Itali. Në fund të provimit, i paraburgosuri është vlerësuar me shkallën maksimale të 110 pikëve (shkëlqyer).
Alban Bardhi ka lindur dhe është banues në Tiranë. Ai akuzohet për veprat penale “Prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Trafikim të qenieve njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni”. Është dënuar në Itali me 27 vjet e 6 muaj heqje lirie, siguri e lartë dhe ka për të kryer edhe 13 vjet dënim. Ai është ekstraduar nga Roma më 26 qershor 2014,”thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve. /ora