Një shqiptare kandidate për parlamentin grek
Një shqiptare nga Vlora kandidon në zgjedhjet për parlamentin grek, duke premtuar të jetë zëri i shqiptarëve atje. Ina Panajoti e cila ka lënë Shqipërinë kur ishte 15 vjeç, tha për emisionin “Ballkan Magazinë” të ORA News, se shqiptarët në Athinë e mbështesin bashkëpatrioten e tyre, duke bërë fushatë për të.
Shqiptarët që jetojnë në Greqi janë integruar tashmë në një pjesë të madhe në jetën e vendit fqinj.
Vota e tyre ka rëndësi në zgjedhjet parlamentare duke qenë një komunitet i madh, nga i cili një pjesë e mirë janë bërë qytetarë të Greqisë, pra kanë të drejtën e votës.
Ina Panajoti është një shqiptare nga Vlora, e cila kandidon në këto zgjedhje për deputete në parlamentin grek.
“Pjesa më e madhe e shqiptarëve këtu janë të organizuar, janë anëtarë të Partisë Socialiste të degës së Greqisë dhe duke qenë se unë jam kandidate me PASOK-un dmth me Partinë Socialiste të Greqisë jemi si të thuash parti të të njëjtës ideologji. Dhe shpresoj në mbështetjen e tyre”.
Panajoti tha për emisionin “Ballkan Magazinë” se në parlamentin grek, ajo do të jetë një zë për shqiptarët që jetojnë në Greqi.
“Unë nuk dua të bëj premtime të cilat nuk do jem në gjendje ti mbaj më vonë. Thjesht mendoj se duke qenë prej shumë vitesh këtu duhet që zëri ynë të dëgjohet në organet shtetërore këtu”. /Ora News