Njeriu që kujdeset për kështjellën e Argjiros
Prej gati 30 vjetësh, Vladimir Llaziku, vazhdon të largojë nga muret e gurta të kështjellës së Gjirokastrës dhe banesave karakteristike bimësinë parazitare e cila rrezikon dëmtimin e tyre. Për Llazikun megjithëse puna është disi e lodhshme sërish ajo i jep kënaqësinë e përkujdesjes për këto vlera historike dhe arkitektonike. “Të largosh bimësinë parazitare nga muret e kështjellës apo shtëpive të gurta për të do të thotë që të ndihmosh mbijetesën në kohë të këtyre vlerave pasi rrënjët e bimësisë pasi depërtojnë në mure mund të shkaktojnë edhe çarjen tyre”,- thotë Ladi ndërkohë që po përgatit për zbritjen e radhës përgjatë mureve të kështjellës. Këtë gjë e ai e bën plot pasion dhe dëshirë prej vitit 1983 kur në prag të edicionit të radhës së Festivalit Folklorik Kombëtar do ti duhej të kacavirrej mureve dhe kullave të gurta të kështjellës për të larguar bimësinë parazitare. “Më kujtohet që herën e parë kisha pakëz ndrojtje për të kryer këtë gjë”,- thotë ai. Megjithëse prej vitesh kishte ushtruar dhe sportin e alpinizmit sërish pastrimin e mureve të kalasë nga bimësia kacavjerrëse nuk e kishte kryer askush. “Më kujtohet që në ato vite shkurret kishin mbuluar gjithandej muret dhe bedenat e gurta duke rrezikuar seriozisht dëmtimin madje edhe shembjen e fragmenteve të tëra të mureve të gurta të kështjellës”,- vazhdon bisedën Ladi ndërsa qëndron mbi njërën prej kullave të gurta gati për të nisur punën. Zbritjen e parë në muret e gurta në ato ditë shtatori të 1983 ai vazhdon ta kujtojë ende me emocion. “Në fëmijërinë time dhe kur ushtroja sportin e alpinizmit unë isha ngjitur dhe zbritur me dhjetëra herë në muret e kalasë,-vijon bisedën Ladi,- por kësaj rralle kishte diçka të veçantë pasi zbrisja për të mbrojtur muret e gurta nga dëmtimi duke bërë që ato ti rezistonin sa më shumë kohës si një dëshmi e vlerave historike dhe arkitektonike për brezat e ardhshëm”. Brenda një kohe mjaft të shkurtër ai arriti të pastronte dhe largonte bimësinë nga një sipërfaqe e madhe e mureve të gurta të kështjellës duke bërë që krahas mbrojtjes kullat, bedenat dhe harqet e gurta të kishin një pamje të veçantë. Ndërkohë me kalimin e viteve vazhdoi të kacavirrej mureve të gurta të kështjellës për ti pastruar ato nga shkurret dhe bimësia parazitare. Sërish në Festivalin Folklorik Kombëtar të vit 1988 falë punës së Llazikut muret e gurta të kështjellës do të kishin një pamje të veçantë duke lënë mbresa të pashlyeshme tek mysafirët që kishin mbërritur në Gjirokastër. Puna e Llazikut për mbajtjen pastër dhe mbrojtjen e mureve të gurta do të vijonte edhe në prag të festivaleve folklorike të viteve 2000 dhe 2004. Gjithmonë gjatë punës sime,- thotë ai,- unë kam marrë përgëzimet e njerëzve të cilët pas largimit të bimësisë kanë më shumë mbresa nga një vizitë në kalanë e Gjirokastrës. Vitet e fundit kalaja e Gjirokastrës është kthyer në një qendër të vërtetë të veprimtarive të ndryshme kulturore çka bën që puna e tij të jetë gjithmonë e më e madhe megjithatë edhe kënaqësia e tij rritet pasi njerëzit që e përgëzojnë për punën janë më të shumtë. Megjithatë puna ime tani është bërë më e lehtë, thotë ai ndërsa tregon djalin e vet i cili ka filluar ta ndihmojë në mbrojtjen e mureve të kështjellës. Ndërkohë të dy, baba e djalë, kanë bërë gati litarët sportive dhe pajisjet e tjera për zbritjen e radhës mbi muret e gurtë të kështjellës së Argjiros me dëshirën që duke larguar bimësinë parazitare kullat, bedenat dhe harqet e gurta të ngelen të paprekura si një dëshmi e radhë për brezat e ardhshëm./Koha Jone