Njihuni me Shën Marian e Libohovës
Një gjahtar nga Libohova e Gjirokastrës, gjatë gjuetisë në shpatet e pjerrëta të malit të Buretos, që ndodhet mbi qytetin historik të Libohovës, ka gjetur rastësisht një gur të rrallë, ku mbi të është pikturuar një ikonë e njohur në botën kristiane, ajo e Shën Mërisë me Krishtin në duart e saj, një objekt i rrallë përreth së cilit njerëzit kanë nisur të falen dhe të ndezin qirinj. Dyzetegjashtëvjeçari Shpëtim Beqo, nga lagjja Hoxhallarë e Libohovës, vendbanimi më afër shpateve të thepisura të qytetit historik të Libohovës ku është gjendur ikona, një njeri i pasionuar pas gjuetisë, objekteve antike dhe një mjeshtër i rrallë i artizanatit të gurgdhendjes, thotë se këtë gur e ka gjetur rastësisht 7 vjet më parë, ndërsa ishte duke gjuajtur thëllëza në shpatet e Buretos.
“Ishte herët në mëngjes kur kisha dalë për gjueti dhe më doli përpara një thëllëzë e vetme. U habita, sepse qeni nuk lehu si zakonisht kur binte në erë të thëllëzave dhe se nuk më ka qëlluar të përballem me një thëllëzë të vetme, pasi këto shpezë të malit gjithmonë shfaqen në tufë dhe asnjëherë të vetme. Në mes gurëve të përroit nga vendi ku u ngrit thëllëza pashë gurin me figura të pikturuara. Më habiti, ndaj e mora me vete”, tregon poseduesi i gurit “ikonë”, libohoviti Shpëtim Beqo.
Guri me figurën e rrallë të Panajasë ka tërhequr vëmendjen e të gjithë njerëzve që e kanë parë. Madje, besimtarë të krishterë dhe bektashianë, pa dallim, kanë nisur vitet e fundit që të falen, të luten dhe të ndezin qirinj përpara gurit të rrallë. Nëse do ta shikosh dhe lexosh me vëmendje gurin e Panajasë, thotë poseduesi i saj, Shpëtim Beqo, do të gjesh aty të vizatuar nga Zoti legjendën e vjetër të krushqve të Libohovës.
“Sipas kësaj legjende, që tregohet edhe sot e kësaj dite, krushqit libohovitë u nisën drejt shpateve të Buretos për të marrë një nuse në Voshtinë, qytet që ndodhet matanë kufirit të sotëm me Greqinë. Të lodhur nga ngjitja e shpateve malore dhe të mërdhirë nga temperaturat e ulëta, krushqit qëndruan për të marrë frymë dhe fuqi në zallin e përroit të Kathizmës dhe të mekur shanë Zotin dhe Panajanë, por pas kësaj sharjeje ata mbetën të ngrirë në zallin e përroit, pikërisht në vendin ku unë gjeta “Gurin e Panajasë”, rrëfen Shpëtimi.
Për një soditës të thjeshtë të kësaj mrekullie, sikurse besojnë banorët e trevës, është mjaft e vështirë për të përshkruar figurat e shumta që shfaqen në pjesën e sheshtë dhe për t‘i interpretuar ato. Figura është një lloj grafike, bardh e zi, ku edhe e bardha edhe e zeza janë prej gur stralli. Prerja e tërthortë e gurit të çuditshëm është një lloj konglomerati me gurë stralli të shumëngjyrshëm. Nuk ka asnjë dyshim që në këtë figurinë gjithçka është e përbërë prej gur stralli. Ajo që çudit soditësit dhe besimtarët është figura në pjesën e sheshtë të gurit. Një herë mund të dallosh Shën Mërinë me Krishtin në duar, e në një version tjetër mund të konstatosh një gji gruaje me thithkën që buron qumësht. Në një plan tjetër dallon siluetën e bebes në bark të nënës dhe disa pamje të tjera që mund të interpretohen me ngjarje historike të njerëzimit.
Guri i rrallë, i gjetur në shpatet e Buretos, dhe që ruhet me një fanatizëm të rrallë nga pronari i tij, Shpëtim Beqo, ka tërhequr vëmendjen e shumë besimtarëve dhe më shumë se atyre, të disa njerëzve të veshur me uniformat fetare, ç`ka duken si prijës besimtarësh. “Kanë ardhur këtu në shtëpinë time për të blerë ‘Gurin e Panajasë‘ priftërinj dhe hoxhallarë, por unë as e kam shitur dhe as kam për ta shitur ndonjëherë. Dy priftërinj nga Janina që erdhën të parët për ta blerë më dhanë në fillim 22 mijë dhrahmi, pastaj e rritën “pazarin” deri në 40 mijë dhrahmi, por unë nuk pranova dhe nuk pranoj të shes shenjat e Perëndisë”, tha për gazetën “Shqip” pronari i gurit, Shpëtim Beqo.
Natyra ka ofruar një ikonë të rrallë me pamjen e Shën Mërisë dhe një libohovit nuk pranon që ta shesë. Ky është lajmi për sot./Gazeta Shqip, 2006