Numri dy i PD në Gjirokastër: Ne do të fitojmë thellë në zgjedhje, Rama ka diskriminuar jugun e Shqipërisë me investime
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi është i bindur që partia e tij do të fitojë me një rezultat të thellë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Ndërsa ndiqte nga afër procesin e votimit për kandidatët për deputetë në qarkun e Gjirokastrës, Bardhi u shpreh se votimi i anëtarëve është një proces i ri që ndodh për herë të parë dhe aplikohet në Shqipëri.
“Interesi i anëtarëve të partisë është shumë i madh që tregon se ky është një proces që respekton dhe dëgjon zërin e qytetarëve, në rastin konkret të anëtarëve të PD, për t’u shprehur ata mbi cilësinë e kandidatëve që në fund, Gjirokastra, nga PD të përfaqësohet me njerëz me integritet, që anëtarët e partisë i besojnë dhe i kanë votëbesuar. Uroj shumë që deri në përfundim, procesi të shkojë pa probleme siç vijon deri në këto momente, dhe në fund të procesit të zgjidhen më të mirët. Pra ne të kemi mundësi të paraqitemi tek qytetarët e qarkut të Gjirokastrës me njerëzit më përfaqësues të tyre, me njerëzit më të ndershëm, më të mirë dhe që do të jenë përfaqësues real të interesit të qytetarëve dhe jo të interesit të partive politike, të kryetarëve të partive politike apo, siç ndodh me kundërshtarin tonë, të interesit të krimit të organizuar dhe të parave të pista të krimit të organizuar.”
Bardhi theksoi mes të tjetash se pritshmëria e PD-së në këto zgjedhje, nuk është vetëm për Gjirokastrën, por për të gjithë Shqipërinë.
“Ajo që unë kam vërejtur gjatë këtyre 7 viteve që qeverisemi nga Edi Rama, kam parë që jo vetëm Gjirokastra, por në përgjithësi i gjithë jugu ka qenë i diskriminuar. Ka munguar investimi, ka munguar vëmendja ndaj halleve dhe problemeve të qytetarëve. Ka munguar mbështetja biznesit. Edhe gjatë kësaj përiudhe pandemie siç keni parë, shumë nga bizneset në Gjirokastër, një qytet i mrekullueshëm dhe turistik, ka qenë në vështirësi çdo biznes për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Nëse sot dalim në qytet dhe i pyesim bizneset, nëse kanë marrë mbështetje nga qeveria, edhe pse i kanë dhënë votën Edi Ramës, përgjigja është një dhë e vetme: braktisje totale nga qeveria në këtë moment, ku qytetarët dhe bizneset kanë nevojë. Prandaj pritshmëria e PD, jo vetëm për Gjirokastrën, po për të gjithë Shqipërinë është një fitore e thellë. Përsa i përket qarkut të Gjirokastrës, ju siguroj, këtë e di edhe kundërshtari ynë, që opozita e bashkuar do të jetë fituese në qarkun e Gjirokastrës.”