OSHEE Gjirokastër pa drejtor, banorët e fshatit Valare protestojnë se s’kanë drita
Banorët e fshati Valare kanë dalë në protestë për shkak të mungesës së energjisë elektrike që prej disa ditësh. Ata thonë se e paguajnë rregullisht faturat e energjisë dhe nuk ka arsye pse të ndërpriten disa herë në ditë duke shkaktuar probleme për banorët e fshatit.
“Sot e kanë ndërprerë energjinë elektrike 20 herë, ndërkohë që jemi të rregullt me pagesat, ne kërkojmë të merren masa, nuk dimë ku të gjejmë të drejtën tonë, kemi disa ditë që protestojmë,” tha një banor i fshatit Valare.
“Punonjësit e nënstacionit nuk na japin zgjidhje thonë se varen nga Fieri ndërsa ne duam zgjidhje të këtij problemi sa më para, jemi pa energji elektrike edhe tani që jemi duke folur bashkë, i sjellin pak minuta dhe i heqin, janë djegur pajisjet elektro-shtëpiake, askush nuk do t’ia di për ne,” u shpreh një tjetër baror për Report Tv.
“Ne jemi shumë të rregullt si qytetarë për sa i përket pagesave, defekti krijohet te ish-fusha e aviacionit. Do të bllokojmë rrugën nacionale Tepelenë-Gjirokastër deri sa të jepet zgjidhje problemit tonë,” tha Vladimir Proko kryeplak i fshatit Valare.
Banorët e fshatit Valare janë shprehur se ndërprerja e herë pas hershme e energjisë elektrike, i ka lënë në errësirë për disa ditë, madje u ka shkaktuar dëme për pajisjet elektro-shtëpiake. Ata kërkojnë të zgjidhet problemi sepse janë pagues të rregullt të energjisë elektrike. Aktualisht njësia e OSHEE për Gjirokastrën është pa drejtues, pas dorëheqjes së Andi Shkurtës disa ditë më parë.