Paga e re minimale, ja si ndryshojnë kontributet
Qeveria miratoi dje ndryshimet në ligjin “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Ndryshimi kishte të bënte me masën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore pas ndryshimit të pagës minimale. Paga minimale mbi të cilën do të sigurohen të punësuarit tashmë do të jetë e barabartë me 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë dhe deri në 97 030 (nëntëdhjetë e shtatë mijë e tridhjetë) lekë.
Sipas kësaj page, dje qeveria ka miratuar edhe masat e reja të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat sipas degëve dhe skemave të sigurimit shkojnë tashmë në është 6138 (gjashtë mijë e njëqind e tridhjetë e tetë) lekë për një pagë minimali dhe ndahet sipas tabelës së mëposhtme.
PAGA PËR EFEKT TË LLOGARITJES SË KONTRIBUTEVE
- Paga bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e të kujdesit shëndetësor, është paga e caktuar sipas legjislacionit në fuqi, ose në kontratën e punës, sipas rastit, me kohë ose vëllim pune dhe shtesat e tjera, me karakter të përhershëm, që lindin nga marrëdhëniet e punës. Paga bruto evidentohet në listëpagesën tip, e cila është deklaratë për pagesë dhe dokumenti bazë për evidentimin e kontributeve individuale.
- Në pagën bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor, nuk përfshihen:
- a) përfitimet që punëmarrësi merr nga fondet e sigurimeve shoqërore;
- b) kompensimet nga rritja e çmimeve;
- c) dhuratat në të holla, që nuk kanë karakter të përhershëm dhe të përgjithshëm;
ç) të ardhurat nga detyrimi ushqimor, të caktuara me vendim gjykate;
- d) vlera e antidoteve, që punëdhënësi jep në natyrë, për personat e punësuar, sipas legjislacionit në fuqi;
- dh) shpërblimet me karakter jo të përhershëm, të lejuara në mbështetje të legjislacionit në fuqi, shpërblimet nga fondi i veçantë, për rastet e fatkeqësive në familje, për sëmundjet e gjata, për dëme, në raste fatkeqësish të mëdha natyrore, dhe për veprimtari të shquara;
- e) vlera e shpenzimeve për të punësuarit, që kryejnë veprimtari jashtë qendrës së banimit, të cilat jepen bazuar në legjislacionin në fuqi dhe që nuk janë pjesë e pagës;
ë) honoraret apo shpërblimet e tjera të kësaj natyre, që nuk kanë lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës.
- Paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, të jetë, si më poshtë vijon:
- a) jo më pak se sa paga minimale mujore, e barabartë me 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë dhe deri në 97 030 (nëntëdhjetë e shtatë mijë e tridhjetë) lekë, për personat e punësuar;
- b) jo më pak se sa paga minimale, e barabartë me 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë dhe sipas përcaktimit të vetë personit, deri 97 030 (nëntëdhjetë e shtatë mijë e tridhjetë) lekë, për personat e vetëpunësuar;
- c) e barabartë me pagën minimale mujore prej 22 000 (njëzet e dy mijë) lekësh, për punonjësit e papaguar të familjes.
- Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, të jetë, si më poshtë vijon:
- a) jo më pak se sa paga minimale, e barabartë me 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës së listë-pagesës, për personat e punësuar;
- b) sa dyfishi i pagës minimale, e barabartë me 44 000 (dyzet e katër mijë) lekë, për personat e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht;
- c) paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, për personat e vetëpunësuar në bujqësi, është 4 620 (katër mijë e gjashtëqind e njëzet) lekë.
- Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve suplementare të detyrueshme, të jetë nga 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë e deri në shumën e pagës bruto, sipas listë-pagesës.
- Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve shtesë të punonjësve që punojnë në miniera, në nëntokë, është sipas pikës 3, të këtij kreu.
- Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të buxhetit të shtetit, për kohën e trajtimit me pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm të personave që kryenin funksione kushtetuese apo si punonjës të lartë të shtetit dhe për ish-ushtarakët, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ, të Gardës së Republikës, të Policisë së Burgjeve e Mbrojtjes nga Zjarri dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm është e barabartë me pagën referuese, sipas gradës dhe funksionit, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.
- Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të buxhetit të shtetit për personat që përfitojnë pagesë papunësie, për ish-punonjësit që kanë punuar në miniera, në nëntokë, dhe ish-punonjësit e industrisë ushtarake, që përfitojnë trajtim financiar të veçantë, personat që u shërbejnë invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe gratë që dalin në pension për periudhën e kryerjes së arsimit të lartë, është e barabartë me pagën minimale.
III. LLOJET, SHUMA DHE SHPËRNDARJA E KONTRIBUTEVE
Llojet, shpërndarja sipas degëve e skemave të sigurimit dhe masa e kontributeve, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, janë, si më poshtë:
- Shuma minimale mujore e kontributeve i referohet pagës minimale dhe normës së kontributit. Kontributi minimal mujor, sipas degëve dhe skemave të sigurimit, është 6 138 (gjashtë mijë e njëqind e tridhjetë e tetë) lekë dhe ndahet, si më poshtë:
- Shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar të familjes, me përjashtim të të vetëpunësuarve në bujqësi, të jetë 3.4% e dyfishit të pagës minimale mujore, të përcaktuar për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, e barabartë me 1 496 (një mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë.
- Kontributi i detyrueshëm për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më shume se 87 orë në muaj, të jetë:
- a) për sigurimet shoqërore, 24.5% të pagës bruto, sipas listë-pagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 15.0% dhe pjesa e të punësuarit 9.5%, por jo më pak se paga minimale dhe jo më shumë se paga maksimale, e përcaktuar në këtë vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore;
- b) për sigurimin e kujdesit shëndetësor, 3.4% të pagës bruto, sipas listë-pagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 1.7% dhe pjesa e të punësuarit 1.7%, por jo më pak se paga minimale, e përcaktuar në këtë vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimit të kujdesit shëndetësor.