Pandemia e Covid-19/ Shtëpia e të moshuarve në Libohovë pritet të kthehet në karantinë për emigrantët e ardhur nga Greqia
Rreth 60 persona të kthyer nga Greqia janë karantinuar me detyrim në hotele të ndryshme në Dropull, Gjirokastër, Teplenë e Përmet. Por pritet që ky numër të vijë duke u rritur, pasi në Kakavijë gati cdo ditë kthehen shqiptarë nga Greqia. Subjektet private të hoteleve po bëjnë rezistencë, duke mos pranuar të strehojnë për 14 ditë emigrantët e kthyer.
Në këto kushte autoritetet vendore po kërkojnë ambiente të reja për të akomoduar këta persona. Së fundi është kërkuar miratim nga autoritetet qëndrore në Tiranë, për shtëpinë e të moshuarve në Libohovë dhe konviktin e studentëve në Gjirokastër. Pritet që në këto dy godina të strehohen disa dhjetra emigrantë, pasi t’i nënshtrohen më parë edhe testit për Covid-19. Krahas akomodimit, problem më vete është edhe ushqimi. Fillimisht kryeministri Rama ka thënë se emigrantë e kthyer do të qëndrojnë në hotele me shpenzimet e tyre.
Por duket se ky skenar nuk po funksionon. Me të mbërritur në Kakavijë, ata deklarojnë se s’kanë para as për të paguar hotelin dhe as ushqimin. Ndërkohë ditë më parë prefekti i Gjirokastrës deklaroi se furnizimi me ushqim do të merret përsipër nga bashkitë.
Krahas vështirësive për të përballuar me ushqime familjet në nevojë, tashmë bashkitë do duhet që të sigurojnë vakte ushqimore edhe për emigrantët që do të bëjnë ciklin dyjavor nëpër hotele apo ambiente të tjera akomoduese si shtëpia e të moshuarve në Libohovë apo konvikti i vajzave në Gjirokastër. Problemi më i madh në të gjithë këtë histori është se askush nuk di të thotë se derisa do të zgjasë kjo pandemi, e cila ndër të tjera ka goditur edhe ekonominë. Turizmi është një nga sektorët që do të preket më tepër, por as sektorë të tjerë nuk ngelen pas./argjirolajm.net