Papa tregon arsyet e vizites ne Shqiperi
Papa Françesku I u ka treguar gazetarëve në avion, gjatë kthimit nga Korea e Jugut, se arsyeja për të cilën e viziton Shqipërinë, është se prej atje mund të japë mesazhin sesi të gjitha fetë mund të punojnë bashkë në harmoni.
“Shkoj në Shqipëri për dy arsye të rëndësishme .E para sepse kanë arritur të krijojnë një shtet dhe të mendojnë për Ballkanin, unitetin kombëtar mes islamit, ortodoksëve, katolikëve me një këshill ndërfetar që ndihmon shumë në ekuilibrim. Kjo është gjë shumë e mire, sepse ka harmoni. Dhe prezenca e Papës, është për t’i thënë të gjithë popujve se mund të punohet bashkë dhe unë e kam ndjerë si të ishte një ndihmë për atë popull fisnik”, ka theksuar ai.
Gjatë intervistës së tij në avion, duke folur për çështjet ndërkombëtare, Papa ka thënë se “luftërat kanë arritur një nivel të frikshëm mizorie dhe se tortura është një mjet thuajse i zakonshëm. Këto janë frytet e luftës, sepse këtu jemi në luftë. Është Lufta III Botërore, por e copëtuar.”
I pyetur nga gazetarët nëse do të donte ta vizitonte Kinën apo Kurdistanin dhe ai u përgjigj: “Po, nëse nëse ekziston mundësia, që nesër.”
Ndërkohë programi i Papës në Shqipëri do të jetë i tillë:
Më 21 shtator 2014, ditë e diel, Papa do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit në orën 9.00 ku do të pritet me një ceremoni të veçantë nga Kryeministri shqiptar Edi Rama.
Në orën 9:30, Papa do të mirëpritet nga Presidenti i Republikës.
Në orën 10:00 do të takohet me autoritetet në sallën e pritjes së Presidencës dhe do të ketë një fjalim të Atit të Shenjtë.
Në orën 11:00 do të kremtohet një meshë në sheshin “Shën Tereza”, shoqëruan nga fjala e Papa Franceskut në fund të saj.
Në orën 13:30, papa do të takohet në një drekë me Ipeshkvinë shqiptare dhe shpurën papnore.
Në orën 16:00, papa do të takohet me krerët e komuniteteve të tjera dhe komuniteteve të krishtera në Universitetin katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe aty do të mbajë nëj fjalim.
Në orën 17:00 do të ketë një kremtim të lutjes mbrëmësore në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, ku do të ketë edhe një fjalim të posaçëm.
Në orën 18:30 do të ketë një takim me fëmijët e qendrës “Betania” dhe një përfaqësi të qendrave bamirëse të kishës katolike në Shqipëri.
Në orën 19:45, Papa do të largohet me një ceremoni nga aeroporti “Nënë Tereza”./Dita