Pas 20 vitesh nis pastrimi i kanalit kullues në Nepravishtë
Pas më shumë se 20 vitesh i lënë në harresë të plotë, në kanalin kullues dhe vaditës në zonën e Nepravishtës në Gjirokastër ka nisur puna për pastrimin edhe rehabilitimin e plotë të tij, duke i ardhur në ndihmë fermerëve të kësaj zone, për mbjelljet e reja në bujqësi që nisin në muajin maj.
Prefekti i Gjirokastrës Astrit Aliaj tha, se puna që kemi nisur në këtë vepër të rëndësishme të infrastrukturës bujqësore për ujitjen dhe kullimin, jo vetëm që ndikon në rritjen e prodhimit bujqësor, por edhe ul rrezikun nga përmbytjet. Për të kryer në kohë dhe me cilësi pastrimin dhe rehabilitimin e kanalit në Nepravishtë janë angazhuar tre mjete të rënda dhe specialistë të fushës.
Ndërhyrja rrënjësore në kanalin kullues si dhe në kolektorët kryesorë që po bëhet në gjithë fushën e kësaj zone, i shërben një komuniteti të gjerë fermerësh që merren me prodhimin bujqësor. Nepravishta është mes 12 fshatrave të qarkut Gjirokastër të përzgjedhur në programin për zhvillimin rural “100 fshatrat”.