Pas Arkivit, ikën nga Gjirokastra edhe Drejtoria Arsimore Rajonale
Bashkitë që sot nuk kanë zyrë arsimore, do t’u ofrohet një e tillë. Ky është ndryshimi që njoftoi ministrja e arsimit në një konferencë për mediat ku prezantoi ristrukturimin e Drejtorive dhe Zyrave Arsimore në vend.
“Sot kemi një numër prej 38 drejtorish dhe zyrash arsimore me rreth 500 punonjës. Nga analiza rezulton se disa prej zyrave të mbingarkuar e disa të tjerë të nën ngarkuar, kështu që duke qëndruar numrit të punonjësve që kemi, sipas nevojave të bashkive sipas nevojave të shkollave do të shpërndajmë këtë numër punonjësish në 61 bashki”, tha ministrja.
Nuk do të ketë shkarkime të punonjësve, por riorganizimi do të prekë disa nga udhëheqësit e disa prej Drejtorive dhe Zyrave Arsimore, ankesa për të cilët kanë qenë të shumta. Para maturës shtetërore do të ndodh ristrukturimi, ku nga 38 drejtori dhe zyra arsimore do të kemi 56. Edhe Drejtoria Arsimore Rajonale në Gjirokastër nuk do të vijojë të ekzistojë më si e tillë. Ajo do të transferohet në Fier. Do të jetë një drejtori e madhe për të gjithë jugun, ndërsa në Gjirokastër do të ketë thjesht Zyrë Arsimore. Pak ditë më parë u shkri DAR në Shkodër dhe Elbasan, dy qarqe të mëdha për nga numri i banorëve dhe rrjedhimisht shkollave. Këto institucione u zhvendosën përkatësisht në Lezhë dhe Korcë. Plani i Ministrisë së Arsimit është të krijojë 4 drejtori të mëdha rajonale për arsimin (Lezhë, Durrës, Korcë dhe Fier), ndërsa pjesa tjetër e territorit do të mbulohet me Zyra Arsimore.