Pas karrierës si futbollist rikthehet në Gjirokastër me bashkëshorten greke, njihuni me historinë e Gjergji Dhimës dhe ‘Black Rose’ (VIDEO)
Një ish-futbollist që ka luajtur për vite me radhë në Greqi është kthyer së fundi në Gjirokastër për të investuar në pronën e tij. Historinë e Gjergji Dhimës e ka publikuar në faqen e tij ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njëherazi edhe deputet i Gjirokastrës. Sipas tij nëse nuk do të ishte bërë restaurimi i Pazarit, shumë investime të tjera përfshi edhe atë të Gjergji Dhimës, nuk do të ishin bërë.
“Kushdo e mban mend Pazarin e Gjirokastrës vite më parë. I rrënuar dhe i lënë në harresë nga paaftësia e atyre që kërkojnë të vijnë sërish në pushtet. Sot është një nga zonat më atraktive për vizitorët dhe për ata që duan të bëjnë biznes. Gjergji Dhima është rasti klasik i një të riu që pas disa vitesh jashtë vendit kthehet në vendlindje për të investuar në pronën e tij duke e shndërruar atë në një hapësirë fantastike në shërbim të qytetit dhe të turizmit. Me siguri që ky investim nuk do të ishte bërë nëse ne do të kishim ende Pazarin që gjetëm vite më parë. Për këto dhe plot arsye të tjera Shqipëria nuk duhet të kthehet prapa te rrënimi dhe rrëmuja #PDLSI. Ne do të dalim faqebardhë nga këto zgjedhje sepse s’kemi të krahasuar me ata që kemi përballë, jemi si dy botë të ndryshme. Shqiptarët do të vlerësojnë ata që punojnë!”, shkruan Çuçi në faqen e tij në Facebook.