Pasojat e përmbytjeve në Gjirokastër, nis puna për rindërtimin e murit të Universitetit ‘Eqrem Çabej’

Përmbytet e para disa ditëve në Gjirokastër dëmtuan edhe murin rrethues të Universitetit ‘Eqrem Çabej’. Rrëzimi i këtij muri krijon vështirësi për lëvizjen e studentëve, si dhe paraqet një pamje estetikisht të papranueshme për një institucion akademik në qendër të qytetit. Por pritet që brenda pak kohësh të nisë puna për rindërtimin e tij. Lajmin e konfirmon administratori i universitetit, Gentian Llogo, i cili konfirmon se aktualisht po punohet për përgatitjen e preventimit.
“Kemi kontaktuar me inxhinierë dhe po punojmë për preventivin. Brenda pak kohësh do të fillojmë eë rindërtimin e murit. Besoj se nëse gjithçka shkon mirë, brenda javës së parë apo të dytë të janarit duhet të përfundojmë”, u shpreh Llogo në një intervistë për televizionin Gjirokastra.
Sipas tij pas rindërtimit të murit është e domosdoshme të kryhet edhe një sistemim i kanaleve kulluese, në mënyrë që të evitohet grumbullimi i ujërave në oborrin e universitetit.
©ArgjiroLajm.net