PD Gjirokastër mbush 27 vjeç. Bejko ‘shpërthen’ ndaj Ramës: Kryeministër gangster e palaço cirku (Në festë edhe Spiro Ksera, ish-ministri i dënuar për korrupsion)
Partia Demokratike në Gjirokastër ka festuar sot 27 vjetorin e themelimit të saj. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë simpatizantë të saj, si dhe nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho dhe deputeti Tritan Shehu. Kryetari i PD Gjirokastër, Roland Bejko, në fjalën përshëndetëse për këtë përvjetor, hodhi akuza të ashpra ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, ky i fundit e ka varfëruar vendin, prandaj duhet një ndryshim i menjëhershëm. Bejko sulmoi gjithashtu edhe Policinë e Shtetit, për të cilën tha se ajo ka bërë roje për trafikantët e drogës.
“Askush nuk e kishte menduar 27 vjet më parë që në krye të qeverisë së vet do të kishte për Kryeministër një gangster, një palaço cirku, i cili në 105 vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit, vazhdoi me të njëjtin ritual, t’u thotë qytetarëve se kemi policinë më të mirë në 27 vjet. Një tallje të tillë askush nuk do ta lejojë. Kjo dramë që përjetojnë shqiptarët sot është alarm i madh dhe thirrje për zgjim”, tha Bejko.
Në ceremoninë festive merrte pjesë edhe Spiro Ksera, ish-ministri i Punës, i dënuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.