PD-LSI bëhen sërish pakicë në Gjirokastër, paralajmëron largimin drejt PS-së një tjetër këshilltar (FOTO)
Shumica në Këshillin Bashkiak të Gjirokastrës për aleancën PD-LSI, me siguri ka për të mbetur thjesht një ëndërr pranvere e atyre që tentuan ta krijonin këtë shumicë artificiale. Gramoz Braho, këshilltari i Partisë për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë (PEISH), parti e cila mbështet komunitetin rom dhe egjiptian në vendin tonë, duket se ka vendosur të mbetet jashtë aleancës PD-LSI. Ditën e sotme, ai zhvilloi një takim të hapur me përfaqësues të komunitet të tij në lagjen ‘Punëtore’, të cilët i kërkuan të mos bashkojë votat me PD-në në Këshillin Bashkiak. Takimi ishte thirrur nga mbështetësit e PEISH dhe anëtarët e tjerë të komuniteti rom dhe egjiptian në Gjirokastër.
Duke folur para tyre ai u premtoi se do të respektojë vullnetin e zgjedhësve të tij. Gramoz Braho është njëkohësisht nënkryetar i Këshillit Bashkiak Gjirokastër. Në mbledhjen e fundit të këshillit ai nuk mori pjesë, duke i dështuar planin Zamira Ramit dhe Roland Bejkos për të shkarkuar sekretarin e këshillit, Semi Golemi. Sidoqoftë zyrtarizimi i tij si këshilltar i PS-së nuk është bërë ende. Por me takimin e sotëm, Gramoz Braho lë të kuptohet se refuzimi i tij për të qenë pjesë e aleancës PD-LSI, është thjesht një çështje vullneti e mbështetësve të tij nga radhët e komunitet rom dhe egjiptian dhe jo presion apo intimidim nga PS, sikundër janë shprehur këshilltarët e LSI-së dhe PD-së në Gjirokastër.