PDIU: Libohova njësi më vete, bashkë me Pogonin dhe Zagorinë
“Në zonën e Gjirokastrës, ku sërish është përdorur kriteri përjashtimor, Bashkia e Libohovës duhet të bashkohet me komunat Qendër-Libohovë, Zagori dhe Pogon”,- thuhet ndër të tjera në letrën që Shpëtim Idrizi, kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, i ka dërguar ministrit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi. Duke vijuar më tej, Shpëtim Idrizi sqaron:
“Komuna e Pogonit që është me shumicë minoritare nuk mund të bashkohet me Dropullin, teksa e vetmja rrugë lidhëse ndërmjet tyre është pikërisht Libohova, i vetmi qytet i zonës, krahas Gjirokastrës dhe mbi të gjitha një qytet ku graviton Pogoni. Për më tepër, ndër shtatë fshatrat e Pogonit, një fshat, Slecka është me shumicë shqiptare, duke bërë që kjo komunë të ketë lidhje historike dhe kulturore me qendrën e saj, Libohovën”.
Në përfundim të letrës së tij, kreu i PDIU-së thekson se ky propozim vjen si një domosdoshmëri e banorëve të këtyre zonave për të pasur një qeverisje sa më të mirë dhe sa më afër qytetarit. Idrizi shpreh besimin se këto kërkesa do të merren parasysh nga komisioni i kësaj reforme.
Ndryshe nga PD-ja që e konteston reformën që në parim, PDIU-ja ka mbajtur një tjetër qëndrim duke çuar specialistët e saj në komision si dhe duke zyrtarizuar edhe përmes një letre dërguar komisionit dhe ministrit për Çështjet Vendore, Bledi Cuci, propozimet që ata kanë. Grupi i punës pranë PDIU-së ka hartuar një hartë të plotë, me përafërsisht 70 komuna, duke u bazuar në kriteret e vendosura nga komisioni, por sidomos në kriterin e funksionalitetit.
Ndarja e re administrative do të votohet në parlament në fund të muajit korrik. Ndërkohë që në të dy variantet e përzgjedhura nga komisioni, Libohova llogaritet si pjesë e Bashkisë Gjirokastër.