Pensionet në fshat, ja si ndryshon skema. Në 2018 barazohen me të qytetit
Në vitin 2018, skema rurale do të integrohet me atë urbane në një skemë të vetme kombëtare, çka do të thotë se nuk do të ketë asnjë diferencë në masën e pensioneve të fshatit me ato të qytetit. Gjithçka është bërë me dije nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, i cili iu referua ndryshimeve që ka pësuar ligji “Për sigurimet shoqërore”, që hyn në fuqi në datën 1 janar 2015.
“Reforma e pensioneve do të sjellë ndryshime rrënjësore edhe në skemën e fshatit, nga e cila të vetëpunësuarit në bujqësi do të përfitojnë pensione më të larta, për ata që kontribuojnë më shumë dhe për sa më shumë vite. Për herë të parë, ata që janë të vetëpunësuar në bujqësi do të kenë të njëjtat përfitime me ata që janë të punësuar në zonat urbane dhe që paguajnë sigurimet shoqërore. Për herë të parë, ata që jetojnë në zonat rurale nuk kanë nevojë të bëjnë ato hilet që paguajnë sikur janë në qytet, ose mbushin 17.5 vjet si një kusht për të pasur pension qyteti, po do të kenë të njëjtat avantazhe që ka çdo qytetar, që deri më sot i kanë pasur ato avantazhe vetëm nëse jetonte në zonat urbane”, – u shpreh Veliaj./GSH