Përpjekja ime e pashpresë për një bursë nga Këshilli Bashkiak i Libohovës
“Ex nihilo nihil fit” (nga asgjëja nuk mund të marrësh asgjë), thoshin latinët, një shprehje që i përshtatet sot më shumë se kurrë drejtuesve në ikje të Bashkisë Libohovë. I mbyturi të mbytë-thotë një fjalë e urtë. Kështu e pësova dhe unë. Jam Elvis Tosuni, student në vitin e parë në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. E fitova këtë degë me punën time, pra me meritë, kisha mesataren e dytë më të lartë në gjimnaz. Epo mendova, me që betejën e parë e fitova vetë, pse mos ta fitoj edhe të dytën, një bursë në të holla.
Në fund të dhjetorit të vitit që lamë pas, u mblodh Këshilli Bashkiak i Bashkisë Libohovë për të vendosur. Ishin akorduar dy bursa nga dhjetë kërkesa që ishin. Të gjithë kush më pak e kush më shumë i kishim hallet njësoj, të gjithë nevojtarë për ato pak para. Nuk u bënë dot bashkë të gjithë anëtarët e lartë të “pleqësisë” së Bashkisë së Libohovës që do të vendosnin, po aty tek gjysma e tyre. Opozitarëve ja u ksebënë kundërshtimet dhe ja u gjetën arsyen për t’ja u zënë fjalën në grykë.
Rastësisht u ndodha në Libohovë për festat e Vitit të Ri dhe nuk mund ta humbisja rastin për të marrë pjesë në mbledhje. Ndoshta isha më i vogli në moshë midis asaj “pleqësie” që atë ditë m’u duk allasojë. Megjithatë, në dorë të tyre ishte edhe fati im. Fjalën e mori një zë i hollë dhe i ngjirur i cili me zor mbërriti në fundin e tavolinës, ku gjendesha ulur. Ishte një zë i plakur dhe i lodhur nga koha. Ai tha se i kemi të gjithë në kushte të barabarta, prandaj po ja u tregoj më poshtë si qëndronin kushtet.
Më lindi dëshira te bej nje “ investigim” amator mbi barazinë për te cilën u fol. Thashë me vete, lum unë që po jetoj komunizmin në një kohë demokracie sepse të gjithë e dimë që vec në komunizëm kemi barazi dhe këtë e pranon dhe institucioni për të cilin po flas. Po si ishte arritur kjo barazi pothuajse absolute? Jo vetem barazi, po aty kishte edhe nga ata të cilët vuanin për bukën e gojës sepse kishin deklarauar të ardhura mujore zero.
Një gjë e tillë është e pamundur për ne që jemi qytetarë të Libohovës, të një qyteti perlë ku balta është më e ëmbël se mjalta, për arsyen e vetme sepse të gjithë kemi të regjistruar në pronësi të familjes tokë buqësore dhe e vetmja mënyrë për ta shmangur këtë vërtetësi është që të paraqiteshe tek zyra e Kadastrës Gjirokastër ku një zotëri të pyeste sa hyje te dera:- Je miku i ketij? Po t’i thoje jo, nuk ta bëj dot thoshte, shih mbase e njeh atë që të thashë dhe hajde.
Disa të tjerë kishin fshehur dhe profesionet e prindërve, s’besoj se kishin turp t’i tregonin sepse puna është nder, po diku donin të dilnin. Disa të tjerë që kanë vite që nuk e shikojnë Libohovën, dhe që ndjekin shkolla private ku lenë “qimet e kokës “ e ndiejnë nevojën ta shtrinë dorën kur ka ndonjë gjë të kollajshme për tu arritur .
Të tërë nuk i kënaqim dot, foli ai,- kemi vetëm dy bursa,- por do ushqejmë katër gojë, do ta ndajmë çerekun më katërsh, si në kohën e partizanllëkut,- tha ai duke u kënaqur me shprehjen që stisi.
E hodhën në votë. Kur u votua, pashë që “ pleqësia” kishte marrë porosi se për kë do të votonte. Njëri prej tyre për ta kujtuar kujt t’ja jepte votën në njërën këmbë kishte veshur një sandale beharore të gruas, kurse ai që do të jepte fjalën e fundit e kishte bërë kombë kollaren sa që po i dilnin sytë vëndit.
Shumica kishin detyra se për kë do të votonin, porositë e marra nga dajallarë, xhaxhallarë, hoxhallarë, partitë, rospitë etj. Kuptohet që unë mbeta pa gjë. Kur cdo gjë u vendosë thashë edhe unë dy fjalë për të kujtuar moralin. Po me kë të flisje? E mora me sportivitet këtë ngjarje dhe e lashë “parinë” e Libohovës të kënaqur me zgjedhjen që bëri, pra, i ndanë hesapet si në kohën e Partisë së Punës, se helbete, të asaj partie janë.