Pezullohet vendimi për regjistrimin e numrit IMEI
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vendimin e qeverisë për rregjistrimin e numrit IMEI të telefonave celularë. Pezullimi vjen deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndërsa më pas Kushtetuesja do të marrë një vendim përfundimtar.
Në vendimin e Gjykatës të publikuar në faqen zyrtare theksohet se pasi mori në shqyrtim kërkesën e një grupi deputetësh u vendos që:
“Të urdhërohet pezullimi i zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI për regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme” derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pas ankimimit të Partisë Demokratike. Sipas saj, rregjistrimi i numrit IMEI do t’i lejonte qeverisë që të përgjonte çdo qytetar shqiptar.