Poliklinika e spitalit të Gjirokastrës, Flamur Golemi debaton me ministren e Shëndetësisë: Një vit iku, kur do ta bëni rikonstruksionin?
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi nga Komisioni i Shëndetësisë në Kuvend se projektbuxheti i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për 2019-n është 74 miliardë e 594 milionë e 337 mijë lekë. Sipas saj 2 miliardë lekë janë parashikuar për 30 mijë familje, të cilat do të përfitojnë çekun e bebes për çdo të porsalindur.
Ministrja foli gjithashtu edhe programin e rehabilitimit të 100 qendrave shëndetësore gjatë vitit të ardhshëm. Në seancën e pyetjeve, deputeti i Gjirokastrës, Flamur Golemi ngriti shqetësimin e rikonstruksionit të Poliklinikës në spitalin ‘Omer Nishani’. Golemi u tregua kritik me ministren teksa i solli në vëmendje faktin se ky investim ishte parashikuar gjatë vitit 2018, por nuk u realizua.
“Poliklinika e spitalit ‘Omer Nishani’ nuk i shërben vetëm Gjirokastrës, por të gjithë qarkut. Aty shkojnë pacientë nga Gjirokastra, Tepelena, Përmeti dhe gjithashtu Saranda. Rikonstruksioni është i domosdoshëm dhe duhet të nisë menjëherë. Vlerësoj pajisjen me aparatura, si dhe vendosjen e mamografisë në këtë spital”, tha Golemi.
Më tej deputeti i PS-së i kërkoi ministres një zë të veçantë në buxhet për kërkimin shkencor. Ai tha se mjekësia evoluon dhe Shqipëria duhet të këtë fonde të caktuara për të mbështetur kërkimin shkencor në radhët e bluzave të bardha. Shqetësim tjetër sipas Golemit, mbeten pagat e ulëta për mjekët në rang vendi. Për të frenuar ikjen e tyre jashtë, deputeti i PS-së u shpreh se duhet rishikuar politika e pagave.