Porosia e Kokëdhimës për drejtorët e PS-së në Gjirokastër
Pas takimeve në Libohovë e Dropull, koordinatori i Partisë Socialiste për Vlorën e Gjirokastrën, Koço Kokëdhima, zhvilloi një takim me strukturat e partisë në Gjirokastër. Takimi u zhvillua në teatrin “Zihni Sako”.
Gjatë fjalës së tij Kokëdhima ka vënë theksin në rëndësinë e hapjes së PS-së, anëtarësimet e reja sidomos në radhët e të rinjve dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve në strukturat drejtuese të kësaj force politike. Më pas ai kishte edhe një mesazh apo porosi për drejtorët e PS-së në Gjirokastër.
“Duam që drejtorët e institucioneve të bëjnë më shumë për Partinë Socialiste dhe anëtarët e saj. Së pari ata duhet të jenë model në sjellje. Kemi pasë shumë zhgënjime nga drejtorë të PS, ndaj duam të mos zhgënjejmë as qytetarët e as socialistët me sjellje e drejtuesve të PS. Bëni reformë në institucionet tuaja. Hapni hapësira pune për njerëzit që u kanë sjellë në këto poste”, tha Kokëdhima.