“Portugalia nuk varet vetëm nga Ronaldo”

bushi-300x211Fillimi i mbarë është gjysma e punës. Me këtë ide në kokë përfaqësuesja Shqiptare e futbollit udhëton për transfertën luzitane ndaj Portugalisë. Djemtë kuqezi së bashku me trajnerin Gianni de Biasi po përgatisin sfidën e parë të eliminatoreve të Europianit France 2016 larg Shqipërisë, në La Coruna të Spanjës. Në kushte optimale për të përgatitur një sfidë kaq të rëndësishme, ekipi i përgjigjet në mënyrë perfekte trajnerit italian, gjë që konfirmohet në një intervistë telefonike për Sport News nga menaxheri i ekipit kombëtar Alban Bushi. “Gjendja e ekipit është e mirë. Në seancat e zhvilluara deri tani ekipi ka treguar formë të mirë fizike, me futbollistët që kërkojnë të japin maksimumin”.

Sfida

Pikërisht konkurrenca e madhe ka karakterizuar ekipin në seancat e fundit stërvitore një element që sipas Bushit pritet të ndihmojë shumë trajnerin, për të përzgjedhur 11 më të mirët për sfidën ndaj Portugalisë. “Në ekip ka shumë konkurrencë dhe kjo është diçka e mirë që i shërben shumë trajnerit për të përzgjedhur formacionin ideal. Gjithashtu lojtarët janë ndjekur në ekipet e tyre ku luajnë teksa këto ditë janë angazhuar së tepërmi”. Tek Portugalia do të mungojë Cristiano Ronaldo, “Topi i Artë” dhe njëkohësisht futbollisti më i mirë Europian. Kjo mungesë por edhe ajo e shumë futbollistëve të tjerë të Portugalisë që ishin pjesë e ekipit në Botërorin e Brazilit, mund të jetë një avantazh për kuqezinjtë edhe pse menaxheri i përfaqësueses sonë Alban Bushi nuk e mendon kështu. “Portugalia nuk varet nga Ronaldo, pasi ka ekzistuar edhe pa të. Nëse Portugalia do të luante me Danimarkën atëherë do të ishte një disavantazh për ta, por jo në këtë sfidë ndaj nesh. Ata kanë shumë futbollistë me cilësi teksa ne kemi zemrën por edhe futbollistë që luajnë në kampionate të forta. Shanset janë njësoj për ne si me Ronaldon ashtu dhe pa Ronaldon”. Objektivi i Shqipërisë për këtë 90 minutësh por edhe për sfidat e tjera është i qartë, evitimi i humbjes. Kjo është ajo që bën të ditur Alban Bushi që shpreson se me impenjim maksimal mund të arrihet tek rezultatet pozitive. “Objektivi për këtë sezon është që nuk duhet të humbasim asnjë ndeshje dhe pastaj të shohim ku do arrijmë. Kemi bërë shumë përpara, kemi qenë pranë kualifikimit por ndërkohë edhe ekipet e tjera që janë më lart se ne kanë bërë përpara me hapa gjigant. Duhet të japim 200%, pasi vetëm kështu mund ti bëjmë ballë kundërshtarëve tanë”./SS