Posta Shqiptare emeton pullën “Papa Françesku në Shqipëri – 21 shtator 2014”
Me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, Posta Shqiptare në kuadrin e festimeve në nder të kësaj ngjarje të rëndësishme emeton një pullë postare të posaçme, me sasi të limituar, e cila do të do të dalë në qarkullim më datë 21 shtator 2014.
Boceti i kësaj pulle mbas përzgjedhjes nga Komisioni Shtetëror i pullës postare shqiptare, është miratuar dhe nga Selia e Shenjtë e Vatikanit në Romë, raporton Tema.
Emisoni i kësaj pullë përbëhet nga 1 seri me 1 pamje, një tabak të përbërë prej nëntë pullash si dhe nga Zarfi i Ditës së Parë (FDC).
Dizajni i bocetit është realizuar nga autori Petraq Papa dhe ka një vlerë prej 100 lekë. Tirazhi për filatelinë është 3800 seri, ndërsa për shërbimin postar është 5.000 copë si dhe 200 FDC. Posta Shqiptare ka eskluzivitetin e emetimit dhe prodhimit të pullës postare shqiptare. Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi, deklaroi se Posta Shqiptare shpreh kënaqësinë e emetimit të kësaj pulle kaq të rëndësishme dhe shprehu gatishmërinë që në të ardhmen “nëpërmjet pullës postare shqiptare të pasqyrohen ngjarje të tjera të rëndësishme historike, kulturore, sportive, etj, të vendit tonë dhe ato ndërkombëtare”.
Papa Françesku është Papa i dytë që do të shkelë në trojet shqiptare, pas një Shenjti, Papa Gjon Palit II, më 25 prill 1993 dhe ky është shtegtimi i parë që Papa Françesku bën në një vend europian dhe ballkanik. Ndërmjet sa e sa vendeve që e kanë ftuar e vijojnë ta ftojnë, Papa Françesku zgjodhi pikërisht Shqipërinë, sepse, siç e ka theksuar, është ndër më të vuajturat, larë me gjak martirësh, që dhanë jetën për fe, për liri, për demokraci dhe për bashkëjetesë shembullore në paqe.