Pranë shembjes ura e ndërtuar në kohën e Ali Pashës
Ura e Beçishtit e ndërtuar në kohën e Ali Pashës, që lidh qytetin e Tepelenës me të paktën 7 fshatra të krahinës kërcënohet sërish prej shembjes. Njëra prej këmbëve të vjetra të urës është çarë edhe më shumë prej erozionit të Vjosës pas reshjeve të fundit. Ekspertët lokalë mendojnë se një ndërhyrje restauruese është emergjente pasi përveç monumentit kërcënohet edhe jeta e kalimtarëve që e përshkojnë atë çdo ditë.
Banorët e Beçishtit dhe të 6 fshatrave të tjerë në bregun e Vjosës përballë Tepelenës, ndër vite e kanë pasur një sfidë të rrezikshme lidhjen me qytetin.
Pasarela e vjetër që realizon këtë lidhje ka pësuar çarje serioze në bazamentin e njërës prej këmbëve dhe nga momenti në moment mund të shembet mbi lumë.
Vetëm 2 vjet më parë fëmijët kacavirreshin në kavot anësore të saj për të shkuar në shkollë pasi gjithë dërrasat ishin të kalbura. Një grup vullnetarësh holandezë mbështetën për ta shtruar me dërrasë të stazhonuar, por vetëm pak muaj më pas ndodhi çarja e bazamentit të këmbës që ndodhet nën goditjen e rrjedhës qëndrore të Vjosës. Reshjet e fillim shkurtit e kanë thelluar çarjen dhe kërcënuar qëndrueshmërinë e pasarelës.