Prishja e fejesës së Enver Libohovës me motrën e Zogut, flet e bija Seide Libohova

seide-per-njish-215x300Bijë në një nga familjet më të mëdha në vend, Seide Libohova tregon për të mirat e kohës së tyre të artë, udhëtimet jashtë, bizhuteritë e çmuara, parfumet që i dhuronte Mbretëresha Geraldinë. Fejesën e babait të saj, Enver Libohova, me motrën e Zogut, Sanijen, për më shumë se një vit, derisa u bë princeshë. Me mbretërinë familja i ruajti marrëdhëniet e mira edhe pas kësaj, derisa u prish gjithçka. U sekuestruan pasuritë, stolitë me diamante, brilante, perla e ar, aq sa mjeti i vetëm i jetesës ishte puna e krahut.

Mbiemrat e familjeve të mëdha do të trashëgohen për dekada me radhë. Edhe nëse fati nuk e ka gëzuar ndonjërën nga degëzimet me djalë, janë aq të shumtë në të gjitha degët e pemës gjenealogjike, saqë nuk mund të humbasin krejt. Vetëm se nga ata që kanë jetuar në kohën e artë të familjeve më të mëdha të Shqipërisë kanë mbetur fare pak. Natyrisht, historinë dhe rrëfenjat që dinë për paraardhësit e tyre do ta përcjellin në breza, por nuk mund të jenë edhe për shumë vite vetë për të treguar përjetimet dhe jetesën e një epoke tjetër.

Të një kohe kur lodrat zbavitëse të fëmijëve mund të ishin edhe napolonat e floririt apo shishet e kolonjës, siç i quajnë ende sot zonjat e moshuara. Sado që ishte fëmijë, Seide Libohova, njëra nga vajzat e Enver bej Libohovës, djali i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 1915-n, Servet bej Libohova, e ka ende ndër sy fytyrën e bukur të Mbretëreshës Geraldinë sa herë ndalej te trotuari përpara kalasë ku luanin fëmijët (sot rruga “Murat Toptani”), për t’iu dhënë nga trëndafilat që i dhuronin apo ndonjë shishe parfumi që i gëzonte vajzat pa masë. Për të dhe të gjithë familjen ishin kohët më të bukura.

Nëse një mëngjes ngriheshin çakërrqejf, babai mund ta ndryshonte sakaq humorin e të bijave me një shëtitje në Paris, Romë, Kroaci a kudo që të voglat do të kishin dëshirë. Shkëlqimi i atyre viteve nuk zgjati, ama la shenja të pashlyeshme në kujtesën vajzës, aq sa sot nuk është në gjendje ta shprehë me fjalë lumturinë. Vitet që pasuan, me pengesa nga më të paparashikueshmet, ishin shumë herë më të gjata krahasuar me dashamirësinë që i priti së pari jeta. Për të folur për të afërmit e saj, kushërinjtë e parë të babait, si Myfit bej Libohovën apo Ekrem beun, vendimtar në krijimin e shtetit shqiptar, Seideja mund të ketë shumë, por sot do të flasë pikërisht për atë që nuk kthehet më: kohën e tyre të artë. Fejesën e babait të saj me princeshën Sanie dhe gjithë thesaret që iu morën, duke i lënë të mbijetojnë në kushte nga më të këqijat të jetesës. Megjithatë, do të vinte koha kur Seideja të kthehej sërish nëpër vendet kur e vogël kishte shkuar sa herë i tekej. Tanimë në moshë të madhe, 50 vite më pas, u rrëfen nipërve e mbesave, po aty, në Romë, kur, ulur me të atin pranë “Fontana di Trevi”, dëgjonte historitë e të parëve…

 

Historia ka bërë që vetëm prej mbiemrit të thuhet boll, por na tregoni për ata që kanë qenë më pranë jush, babai, gjyshi, xhaxhallarët.

 Im gjysh, Servet bej Libohova, shkolluar në Turqi, ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës e ka pasur 4 djem, një ndër ta, ishte babai im Enveri dhe tre xhaxhallarët, Hasafi, Ihseni dhe Shefqeti. Siç mund ta merrni me mend, të gjithë të shkolluar jashtë që nga mësimet e para fillore e deri në universitet. Gjyshi dhe gjyshja, Qanie Toptani, edhe ajo me kërkesa të larta për shkak të historisë së familjes së saj, i çuan së pari të katër djemtë në kolegj në Stamboll, më pas në Athinë, në gjimnazin që edhe sot mbahet si më i miri, “Zosimea”, pastaj secili prej tyre bëri zgjedhjen e tij për studimet universitare. Babai zgjodhi Italinë, ku u diplomua si agronom, ndërsa tre xhaxhallarët studiuan në Romë e Francë për drejtësi.

Cili ishte angazhimi politik i secilit pas kthimit?

Babai, siç është e kuptueshme që nga zgjedhja e degës së studimeve, preferoi të mos angazhohej politikisht, edhe për shkak të një sëmundjeje të gjatë që e shoqëroi gjithë jetën. Hasafi, pas studimeve hyri në karrierën diplomatike dhe shërbeu në Tiranë e më pas në Legatën shqiptare të Romës, ka qenë ambasador në Vatikan. Shefqeti punoi si avokat deri në kohën e komunizmit, në të cilën u burgos. Ihsani u mor me gazetari, pastaj u bë nënprefekt dhe drejtor i Punëve të Jashtme në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Qëllonte të ishit e pranishme në bisedat e këtyre burrave të mëdhenj?

Kujtoja pak, por ndjesia është në të gjitha rastet e njëjtë: kënaqësi. S’mund të ndiheshe ndryshe kur i dëgjoje, ishin të gjithë njerëz me poste, të shkolluar, flisnin qetë, tregonin gjëra të bukura.

Gjëra të bukura asokohe ju nuk kishit vetëm për të dëgjuar.

U referoheni pasurive? Po, është e vërtetë, xhevahiret ishin pa numër, sepse trashëgoheshin nga të dyja familjet, si nga babai, ashtu dhe nga nëna. Si u transferua gjyshi nga Libohova në kalanë e Tiranës?

Siç ju thashë, gjyshi u martua me Qanie Toptanin, së cilës i vdiq vëllai dhe për të mos lënë të ëmën vetëm, u transferua në Tiranë, ku lindi djemtë e jetoi. Pra, pas transferimit, me Mbretin e ardhshëm nuk e lidhte vetëm lidhja e gjakut nga e ëma e tij, por edhe distanca gjeografike

 Po, mamaja e Zogut ka qenë Toptanase dhe gjyshja kishte marrëdhënie shumë të mira me ta, kishin hyrje-dalje familjare për çdo rast gëzimi që kishin secila nga palët. Zogu vinte shpesh në shtëpi. Gjyshja më ka treguar se ka qenë burrë i pashëm e se kishte humor të hollë. Kjo reflektohej gjithnjë në bisedat e tij. Por lidhjet tona me Zogun nuk ishin vetëm kaq.

Pse, çfarë ju lidhte tjetër?

Për shkak të afërsisë së tyre dhe lidhjeve që bëheshin brenda familjeve të mëdha, im atë, Enveri, u fejua me të motrën e Zogut, Sanijen, ende pa u bërë princeshë. Fejesa u prish pas më shumë se një viti e gjysmë, kur Zogu u bë Mbret. Ato ishin princesha dhe duhet të krijonin lidhje me njerëz të sërës së tyre, edhe pse, për fat të keq, asnjërës nuk i shkoi mbarë në këtë drejtim. Edhe Zogu vetë e prishi fejesën e tij të mëparshme, e donte pozita e tij e re.

Në ç’vit ka qenë i fejuar? I bënë ceremonitë e rastit?

Ka qenë përpara 1925-s. Po, i bënë ceremonitë, shkëmbyen nishanet dhe pas prishjes së fejesës nuk i kthyen më mbrapsht, siç ishte zakoni.

Kujtoni ndonjë nga nishanet e shkëmbyera?

Kujtoj që deri vonë babai ka mbajtur një tabakiere, kështu quheshin atëherë ato kutitë ku mbaheshin cigaret. Ishte e gjitha në ar dhe sipër saj ishte e gdhendur një “S” po në ar. Përveç kësaj, ka pasur edhe një sahat xhepi me gurë diamanti. Edhe gjyshja i çoi një sahat, që gratë asokohe i mbanin me zinxhir dhe i kapnin te pjesa e gjoksit të fustanit. Kuptohet që edhe zinxhiri, edhe sahati ishin në ar dhe me gurë diamanti, i mbuluar me një shtresë që quhej mine, një lloj zmalti i çmuar. Gjyshja kishte shumë pasuri e këto nuk konsideroheshin ndonjë gjë e madhe për ta në atë kohë.

Po ju vetë kujtoni ndonjë episod me Mbretin a Mbretëreshën?

Kujtoj kur luanim te trotuari përpara kalasë me kushërirat e mia të Vrionasve e Vlorajve, e kalonte Mbretëresha. Ishte shumë e bukur. Ndalej gjithnjë, na përgëzonte, na jepte trëndafila nga buqetat që i dhuronin ose shishe kolonje. Ne rrinim krejt të hutuara nga gjestet e bukuria e saj.

Po në këtë moshë udhëtonit edhe me babain jashtë shtetit, me sa shoh nga fotografitë. 

Oh, po. Ajo ka qenë koha më e bukur. Shkonim në Itali, Zvicër, Greqi e gjithandej. Ka qenë aq e bukur, sa s’di të ta them me fjalë.

Babai punonte, shkonte me shërbime jashtë, apo…?

Jo, shkonim për qejf sa herë na tekej. Mundësitë ekonomike as që konsideroheshin, sepse ata nuk dinin ku i kishin pasuritë atëherë.

Na tregoni disa prej tyre, ato që diheshin se ku ishin.

Po ç’t’ju them më parë? Fillonin që nga fustanet e gjata të gjyshes, përfshi ato tradicionalet, të gjitha të endura me fije ari, aq sa nuk mund të ngriheshin, aq të rënda ishin, e deri te valixhet me xhevahire. Çfarë nuk kishte në të! Vetëm mamaja kishte në valixhe 12 sahate ari me diamant, qilima, sixhade persiane, napolona. Kujtoj një unazë që mamaja mbante në gisht me dy gurë, secili i madhësisë së bërthamës së ullirit, njëri ishte rubin e tjetri brilant. Të gjitha këto ishin të trashëguara brez pas brezi, pra vlera dyfishohej.

A ishin të mirëmbajtura për aq të vjetra sa ishin?

Disa prej tyre po, të tjera jo, sepse ishin punime shumë të vjetra, por gurët i kishin të çmuar. Një pjesë të tyre gjyshja i mori e i çoi në Romë, ku i ripunoi. Ata gurë i futi në platin për t’i bërë jo vetëm të reja, por edhe punime më moderne.

Nuk ishte e largët koha kur do duhej të ndaheshit prej këtyre të gjithave.

 Eh, ajo është epokë tjetër, domosdo që do të ndaheshim, por nuk mendoi njeri që do duhej të hiqnim dorë nga gjithçka. U sekuestrua e gjithë pasuria, me shtëpi e me gjithçka, por deri në një farë kohe na lanë të paktën një pjesë të gjërave të çmuara me të cilat ne po jetonim duke i shitur.

Më pas?

Më pas i morën të gjitha. E kujtoj shumë mirë edhe datën e 25 korrikut të vitit 1951, kur kthehem në shtëpi pasi kisha shkuar të merrja qumështin, -rituale këto që dikur merreshin shërbyeset, po kjo është më e pakta e gjithë atyre ndodhive, – dhe gjej një polic te dera. Më hoqi byzylykun nga dora e gjithë ç’kisha dhe mori valixhen e mamasë me gjithfarë gjërash. Përveçse morën këto, morën mamanë dhe gjyshen, i mbajtën në burg, njërën 2 muaj e tjetrën 15 ditë, duke i torturuar për të treguar nëse fshihnin të tjera. Kam shkuar unë e kam marrë gjyshen, që ishte si e leckosur kur ka dalë nga Dega e Brendshme. Mirëpo kishte një gjë, ligji nuk parashikonte sekuestrimin e bizhuterive të femrave dhe për këtë arsye iu desh të na i kthenin mbrapsht, por kuptohet që vetëm për pak kohë, sepse nuk zgjati as një javë. Erdhën e i morën sërish.

Nuk arritët të fshihnit asgjë?

Kisha fshehur poshtë dyshekut të krevatit të tim biri një monedhë veneciane, ka qenë më e madhe se napolonat, por kontrolluan gjithçka dhe i morën, mbetën shumë pak gjëra të vogla që duhet të shiteshin gjithsesi, se nuk kishim me ç’të jetonim.

Nuk ka vend për të folur për keqardhjen?

E ç’mund të thuash?! Në fillim, kur ende kishim disa gjëra, përpiqeshim të bindnim gjyshen e mamanë që të shisnin të paktën qilimat, sixhadetë a jorganët me tafta, në mënyrë që të ruanim diçka nga trashëgimia. I kujtoj si sot vathët me gurë në formë bajame që i kërkoja mos t’i shiste.

Ç’u bë me të gjithë ju pas ’44-s? Babai, xhaxhallarët?

Meqenëse im atë nuk ishte përfshirë asgjëkund, nuk u prek direkt. Vëllai i madh i tij ishte në Itali, prej nga nuk u kthye më. Ishani u dënua në gjyqin special të ’45-s me 10 vite burg, prej nga bëri 5, ndërsa xhaxhai tjetër u burgos dhe vdiq në burg. Akuza e këtij të fundit, përveç mbiemrit që mbante, ishte tentativa e arratisjes me një grup jugosllavësh.

Po ju si jetuat në vitet që pasuan?

Deri pak vite pas ’50-s me shitjet që ju thashë, por edhe më vonë me ato pak që ruajtëm, si një fustan i kuq i punuar me fije ari dhe perla të bardha që mamaja e shqepi për t’i shitur perlat si rruaza. Pastaj ajo qepte në shtëpi dhe i shiste, ndihmoja edhe unë. Xhaxhallarët, sigurisht që u detyruan të punonin punë krahu për të mbijetuar.

Asnjë nga fustanet e gjyshes apo të mamasë nuk i rezistoi kohës?

Ato që mbetën i çuan në muze, sepse disa prej tyre ishin kostume popullore tradicionale. Prej andej nuk dihet se ku shkuan. Sot e kësaj dite nuk kam asnjë informacion se ç’mund të jetë bërë me to, nuk i kam parë askund, sado e vëmendshme që jam në shtypin e përditshëm. /Panorama