Priten reshje dëbore dhe i ftohtë acar në qarkun Gjirokastër
Përmes një njoftimi Prefektura Gjirokastër thotë se në orët e ardhshme qarku do të përballet me një situatë të pazakontë për shkak të reshjeve të dëborës dhe ngricave.
“Sipas parashikimeve të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak dhe IGJEUM për shkak të reshjeve të dëborës dhe temperaturave të ulëta të cilat priten të fillojnë në orët e vona të ditës së sotme e që do të vazhdojnë deri më datën 10 janar, me pasojë ngricash të forta edhe në datat 11 e 12 janar, qarku ynë do të përballet me situata të pazakonta sidomos për qarkullimin e mjeteve, lëvizjen e qytetarëve, furnizimin me ujë, ngrohjen dhe problematika të tjera”, thuhet në njoftimin e Prefekturës Gjirokastër.
Më tej prezantohet situata në rang qarku sa i përket gjendjes së rrugëve.
Në bashkinë Përmet, rrugët e fshatrave Vërçisht, Miçan, Zavalan, Ogren në Nj. Ad. Frashër për shkak të ngricave, mjetet qarkullojnë me vështirësi dhe vetëm me zinxhirë.
Në bashkinë Këlcyrë, rrugët e zonës së Malëshovës (Malëshovë, Limar, Leskaj) qarkullimi bëhet vetëm me zinxhirë.
Në bashkinë Tepelenë, rruga Tepelenë – Kurvelesh në Nj. Ad. Kurvelesh e kalueshme vetëm me zinxhirë në segmente të veçantë si dhe rruga e fshatit Salari për dy lagje është në të njëjtën gjendje.
Në bashkinë Gjirokastër, Memaliaj, Libohovë dhe Dropull situata është e qetë, nuk raportohen probleme.
Në aksin rrugor Erind – Çajup qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.