Profili i Bashkisë Dropull, njësia ku “luftojnë” katër vetë për një karrige
Zona Gjeografike: Dropulli kufizohet në veri me bashkinë Libohovë. Kryeqendra e Bashkisë është Jorgucati.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 ka një popullsi prej 3.503 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 23.131 banorë. Bashkia Dropull shtrihet në një sipërfaqe prej 466.67 km2 me një densitet prej 49.56 banorë/km2.
Kjo bashki përbëhet nga 3 njësi administrative, të cilat janë: Dropull i Poshtëm, Dropull i Sipërm dhe Pogoni. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Gjirokastër dhe e qarkut Gjirokastër. Bashkia e re ka nën administrimin e saj 41 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e Dropullit përbëhet nga pjesëtarë të pakicës etnike greke në Shqipëri. Derviciani njihen nga vendasit si kryeqendra e zonës, pasi në të zhvillohen pothuajse të gjitha aktivitetet e rëndësishme politike, kulturore dhe fetare të minoritetit. Megjithatë, qendra e komunës do të jetë në Jorgucati, një pikë e ndërmjetme mes dy komunave që ishin më parë.
Zonat e minoritetit kanë njohur viteve të fundit përmirësim të infrastrukturës rrugore në brendësi të fshatrave të vegjël që shtrihen mes kodrave, përgjatë rrugës që lidh Gjirokastrën me Kakavijën.
Falë granteve qeveritare, por edhe ndihmave financiare nga Greqia, shumë fshatra kanë zgjidhur edhe problemet e ujit të pijshëm. Por në këto 25 vite të tranzicionit, zonës së Dropullit i është rikthyer plaga e vjetër e emigracionit, vala e parë e së cilës nisi në vitit ’20-’30. Në fshatrat e Dropullit mungojnë moshat e reja, shumë shtëpi janë mbyllur me vite dhe shumë toka kanë mbetur djerrë. Krahina e Dropullit ruan një pasuri të rrallë etno-kulturore. Zona ka ruajtur dhe transmetuar vallen e bukur të krahinës, kostumet e pasura dhe motivet epirote të klarinetës.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes se re
Riintegrimi i emigrantëve që kthehen nga Greqia e prekur prej krizës ekonomike dhe financiare është një nga sfidat e bashkisë së re. Drejtuesit e rinj vendorë duhet të përballen me problemet që kanë disa fshatra më në thellësi, duke rritur presionin tek strukturat qeveritare për më shumë siguri nga vjedhjet dhe dëmtimet e pronës. Bashkia e Dropullit duhet të lobojë për financime të reja për ndërtimin e ujësjellësve dhe rikonstruksionin e rrugëve si dhe për mbështetjen e shtresave në nevojë në disa fshatra.
Një sfidë tjetër konsiderohet mbrojtja e territorit, sidomos nga aktivitetet e guroreve apo shfrytëzimit të pyjeve pa kriter.
Bashkia ka shumë përgjegjësi në përmirësimin e sektorit arsimor dhe sidomos qendrave shëndetësore, duke qenë se zonat banohen nga mosha të thyera që kanë nevojë për asistencë mjekësore.
Bashkia e re duhet të hartojë programe të posaçme për sektorin bujqësor, sidomos për shfrytëzimin e Fushës së Dropullit.
Në mjaft prej zonave, sipërfaqet e tokës nuk punohen prej vitesh dhe ka shumë probleme si gjatë përmbytjeve në dimër (kullimin e tokave) edhe me mungesën e vaditjes në verë.
Ka nisma të reja për ferma të vogla bujqësore dhe është detyrë e njësisë së re të hartojë politika për mbështetjen e tyre.
Profili elektoral i bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Dropullit kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 20,016 votues. Votuesit janë të ndarë në 40 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 21 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.
Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Dropullit janë:
Ahilea Deçka (PD)
Hristo Duci (I pavarur)
Kostaq Ziso (PBDNJ)
Vangjel Ngjelo (MEGA)