Profili i Bashkisë Gjirokastër
Zona Gjeografike: Bashkia e Gjirokastrës kufizohet në veri me bashkinë Tepelenë, në lindje me Bashkinë Libohovë, në jug me bashkinë Dropull dhe në perëndim me bashkitë Himarë dhe Delvinë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Gjirokastrës.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia ka një popullsi prej 25.301 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil ajo numëron 52.054 banorë. Bashkia shtrihet në një sipërfaqe prej 469.25 km2, me një densitet prej 53.91 banorë/km2 sipas Censusit 2011 dhe 110.93 banorë sipas Regjistrit Civil.
Kjo bashki përbëhet nga 7 njësi administrative, të cilat janë: Gjirokastra, Cepo, Lazarat, Picar, Lunxhëri, Odrie dhe Antigone. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Gjirokastër dhe e qarkut Gjirokastër. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 38 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re e Gjirokastrës do të përbëhet nga qyteti i Gjirokastrës, i cili prej vitit 2005 ndodhet në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s si dhe zonat rurale kodrinore përreth, të përqendruara më së shumti te prodhimet blegtorale.
Gjirokastra është një qytet tregtar i stilit otoman, ndër të paktët të tillë të mbijetuar në Ballkan. Qyteti ka mbi 800 ndërtesa historike, shumë prej të cilave rrezikohen nga degradimi. Katet përdhese të shtëpive karakteristike shërbenin si struktura mbrojtëse edhe depo të shtëpive. Ndërsa katet e sipërme shprehnin mikpritjen gjirokastrite, kulturën dhe mënyrën e jetesës së tyre.
Kostumet lokale të Gjirokastrës janë tradicionalisht të zbukuruar me qëndisma të komplikuara. Po ashtu prodhohen në mënyrë artizanale qilima e velenxa, triko, çorape e doreza. Të famshme në të gjithë vendin janë dantellat e Gjirokastrës; punime me grep dhe qëndismat. Ndërsa burrat përpunojnë drurin dhe gurin. Veshjet tradicionale popullore të grave zbukuroheshin me fije metalesh të çmuara si kostumet e famshme të grave të Lunxhërisë. Muzika tradicionale polifonike shqiptare ka stilin e saj në Gjirokastër me interpretime virtuoze të disa gjeneratave, përfshirë sot edhe një grup fëmijësh. E integruar në Iso-polifoninë shqiptare, ajo është njohur më 2005 nga UNESCO si “trashëgimi kulturore e paprekshme”.
Pjesë e bashkisë së re do të jetë edhe Parku Arkeologjik i Antigonesë-Adrianapol, i cili u krijua në vitin 2005 me një sipërfaqe prej 92 hektarësh.
Burimet kryesore të ekonomisë urbane në Gjirokastër janë turizmi dhe manifaktura me material porositës, e cila shërben përgjithësisht për tregun grek dhe që gjatë viteve të fundit është goditur rëndë për shkak të krizës në Greqi.
Gjirokastra është gjithashtu qytet me aktivitet të konsiderueshëm tregtar, veçanërisht sa i përket importeve nga Greqia.
Zona rurale që i bashkëngjitet qytetit është e njohur për blegtorinë e imtë dhe për produktet blegtorale shumë cilësore.
Gjirokastra është zona më e prekur në Shqipëri nga emigrimi masiv i popullsisë përgjatë dy dekadave të fundit, gjë që ka sjellë edhe plakjen e shpejtë të popullsisë. Sipas regjistrimit të popullsisë 2011, qarku i Gjirokastrës ka moshën mesatare më të lartë në Shqipëri me gati 40 vjeç.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes se re
Turizmi në qytetin e Gjirokastrës ka shënuar një hov cilësor gjatë viteve të fundit. Megjithatë, përballë bashkisë së re shtrohet nevoja e përmirësimit të kapaciteve për promovimin dhe administrimin e turizmit si dhe për zgjatjen e sezonit turistik përtej muajve të pranverës dhe vjeshtës.
Qyteti numëron rreth 50-60 mijë vizitorë të huaj në vit si dhe zotëron një rrjet hotelesh që e përballojnë këtë fluks. Bashkia ka një zyrë informimi turistik, por pak produkte promocionale.
Zhvillimi i mëtejshëm i artizanatit, i produkteve tradicionale ushqimore dhe i gastronomisë konsiderohet një çështje që kërkon vëmendjen e vazhdueshme të autoriteteve vendore.
Me financime të Bashkisë apo me mbështetjen e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, në Gjirokastër po realizohen disa ndërhyrje të rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës si: rikonstruksioni i Parkut të Viroit, projekti për rrugën hyrëse nga krahu verior (përfshi një korsi për biçikleta dhe këmbësorët) apo shtrimi i rrugëve me kalldrëm në qendrën historike.
Megjithatë, Bashkia e re do të duhet të zgjidhë problemin e betonizimit në lagjen 18 Shtatori dhe mungesën e infrastrukturës arsimore në këtë lagje, ku ekziston vetëm një shkollë e mbingarkuar me nxënës.
Transporti i nxënësve në të gjitha shkollat e bashkisë së re konsiderohet një tjetër çështje që kërkon zgjidhje, pasi depopullimi i shumë zonave ka sjellë mbylljen e shkollave në fshatrave dhe rritjen e distancave për fëmijët.
Furnizimi me ujë të pijshëm pritet ndërkohë të zgjidhet përfundimisht pas përfundimit të rikonstruktimit të ujësjellësit, i cili përfshin gjenerimin e rrjetit të vjetër si dhe ndërtim deposh të reja.
Bashkia pritet të prokurojë një financim për zgjerimin e korsisë rrugore nga Rruga kombëtare ne hyrjen jugore në sheshin kryesor të Qendrës Historike. Parashikohet ngritja e një parkingu dhe mobilime të tjera urbane, të cilat synojnë kthimin e zonës së Pazarit të vjetër në një zonë këmbësorësh gjatë sezonit turistik Maj –Tetor.
Profili elektoral i bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Gjirokastrës kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 42,622 votues. Votuesit janë të ndarë në 70 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 31 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.
Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Gjirokastrës janë: Igli Kokalari (koalicioni i djathte) dhe Zamira Rami (koalicioni i majte)