Profili i Bashkisë Libohovë
Zona Gjeografike: Libohova kufizohet në veri me bashkinë Këlcyrë, në lindje me Bashkinë Përmet, në jug me bashkinë Dropull dhe në perëndim me bashkinë Gjirokastër. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Libohovës.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 ka një popullsi prej 3.667 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki ka 7.158 banorë. Libohova shtrihet në një sipërfaqe prej 248.24 km2 me një densitet prej 28.83 banorë/km2.
Kjo bashki përbëhet nga 3 njësi administrative, të cilat janë: Libohovë, Qendër Libohovë dhe Zagorie. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Gjirokastër dhe e qarkut Gjirokastër. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 17 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia Libohovë ka qenë që prej vitit 1914 nënprefekturë. Zona që përfshihet në bashkinë e re është e pasur me monumente arkeologjike, historike, monumente kulti dhe natyrore, me vlera unike në llojin e vet, të vizitueshme në çdo kohë dhe të njohura ndërkombëtarisht.
Gjatë 20 viteve të fundit, popullsia e Libohovës ka njohur nivel të ulët të rritjes demografike, edhe pse emigrimi apo migrimi ka shënuar ulje të ndjeshme. Kjo zonë është në proces gjenerimi dhe ofron mundësi punësimi, përqendrimi, investimi, turizmi, duke premtuar përmirësim të jetës së banorëve.
Bashkia e re e Libohovës ka nevojë për investime në infrastrukturë, ekonomi, turizëm, bujqësi e blegtori, pasi është një nga zonat më të rëndësishme për numrin e bagëtive të imta dhe sipërfaqes bujqësore. Libohova mban rekord në Shqipëri për shumëllojshmërinë e bimëve medicinale . Pozicioni gjeografik e bën Libohovën një qendër potenciale, duke u bashkuar me zonat e tjera përreth si komunën Qendër- Libohovë apo komunën Zagorie. Ajo mund të ofrojë një shërbim më të mirë si qendër bashkie, duke shfrytëzuar potencialet hidrike, bujqësore, blegtorale dhe turistike të të gjithë zonës.
Pozicioni gjeografik kufitar, pjesëmarrja aktive në projektin IPA për zhvillimin e zonave ndërkufitare, projektet e përbashkëta për eko-turizmin me bashkinë e Zagorit, Greqi, do të sillnin një hop cilësor për këtë zonë, duke përfituar nga shkëmbimi ekonomik dhe social –kulturor.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes se re
Administrimi i të ardhurave nga bujqësia, nga blegtoria, fuqizimi dhe nxitja e bizneseve dhe promovimi i produkteve të zonës mbeten sfida për t’u përballuar nga bashkia e re e Libohovës.
Trashëgimia e pasur historike dhe kulturore krijon premisat e zhvillimit të agroturizmit në këtë zonë, por cilësia e keqe e rrugëve lidhëse mes Libohovës dhe fshatrave që e rrethojnë e vështirëson këtë mundësi.
Në këtë drejtim, shumë objekte të trashëgimisë kulturore mbeten të paarritshme për turistët potencialë.
Bashkia duhet të përcaktojë një strategji afatshkurtër se si do zhvillohen disa nga zonat me potenciale turistike, përfshi dhe vetë qytetin si dhe të projektojë mbështetjen e zonave më të thella si ajo e Zagorisë. Një sfidë është zhvillimi i markës së prodhimeve blegtorale të Libohovës, sidomos i djathit, që njihet në gjithë Shqipërinë. Bashkia do duhet të nxisë projekte që mundësojnë në të ardhmen eksportin e këtyre produkteve në Bashkimin Europian.
Restaurimi i Kalasë së Libohovës dhe disa monumenteve historike mbetet një tjetër sfidë për bashkinë e re, që së bashku me sarajet e bejlerëve të Libohovës mund të kthehen në atraksione turistike të periudhës osmane.
Zhvillimi i arsimit mbetet një sfidë sidomos në zonat ku ka pak nxënës dhe kryhet mësim i kombinuar.
Profili elektoral i bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Libohovës kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 5,802 votues. Votuesit janë të ndarë në 12 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 15 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.
Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Libohovës janë: Altin Çomo (PD) dhe Luiza Mandi (PS).