Projekti i BE-së, përfiton Libohova, Antigonea dhe Labova e Kryqit
Libohova, Antigonea dhe Labova e Kryqit do të jenë pjesë e projektit ‘Hamlet’, që synon promovimin e siteve të rëndësishme në Mal të Zi, Puglia të Italisë dhe në Shqipëri. Ky projekt është në kuadër të programeve Interreg IPA të Bashkimit Europian dhe Shqipëria përfaqësohet me qarkun Gjirokastër.
“Qendra e projektit do të jetë në Gjirokastër, ku edhe do të ngrihet një infopoint që synon ta zgjerojë hartën turistike përtej qytetit. Gjirokastra ka potencialenturistike të jashtëzakonshme dhe ajo që ne duhet të arrijmë është të shtojmë kohën e qëndrimit të turistëve në vendin tonë për të paktën 10 ditë. Nuk është fjala vetëm për tre muajt e verës, por synojmë turizëm gjatë gjithë vitit. 12 muaj turizëm ofrohen nëse ne i shtojmë kësaj harte destinacione të reja, të cilat ndonëse janë aty nuk janë promovuar sa duhet”, tha ministrja e Kulturës dhe njëherazi deputetja e qarkut, Mirela Kumbaro.
Ajo zhvilloi një takim të parë informues me operatorë turistikë në Gjirokastër dhe autoritetet lokale që do të përfshihen në implementimin e këtij projekti 2-vjeçar.