Projekti i Mehdi Frashërit, Libohova nënprefekturë e Drinopojës

Xhelal_Staravecka
Mehdi Frashëri

Ndërkohë që brenda këtyre ditëve të mbetura të muajit korrik do të votohet në parlament ndarja e re administrative dhe territoriale e vendit, dalin në dritë edhe modele të tjera të ndarjes së Shqipërisë që janë bërë ndër vite. Një i tillë është edhe ai i vitit 1931- 1932 i realizuar nga Mehdi Frashëri. Studimi i tij ishte me një vlerë të madhe për kohën dhe ndoshta mbetet aktual edhe në ditët e sotme.

Libohova në këtë studim të Frashërit, ishte një ndër nënprefekturat e asaj që ai e quante Prefektura e Drinopojës (Dropullit). Qendra e kësaj prefekture ishte Gjirokastra, ndërsa përveç Libohovës ishte edhe nëprefektuara e Sarandës, Delvinës, Konispolit, Himarës dhe Kurveleshit. Projekti i Mehdi Frashërit kishte 10 njësi administrative apo rajone të mëdha. Studimi i tij është tepër interesant, me detaje të hollësishme,  që përfshin çështjet administrative, gjyqësore, financiare, të sigurisë e të tjera me radhë.  

Mehdi Frashëri mbetet një nga arkitektët dhe ideologët më të mirë dhe më të pazëvendësueshëm të reformës administrative shqiptare, jo vetëm se qe i pari që e projektoi atë, por edhe pse ai e ndërtoi të gjithë punën e tij mbi kritere të rrepta shkencore, në bazë të një njohjeje të mirë të terrenit, zhvillimit ekonomik, të gjeografisë dhe të traditës historike shqiptare. Ai ishte pinjoll i familjes së njohur të Frashërllinjve. Përfundoi  fakultetin e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Stamboll. Pati detyra të rëndësishme në Perandorinë Osmane, ndër to edhe guvernator i Jerusalemit. Pas krijimit të shtetit shqiptar u kthye në atdhe, ku mbajti disa poste të larta shtetërore.