Propaganda e Tatimeve/ Rast unikal në Gjirokastër, bizneset janë të lumtur që u përfshinë në skemën e TVSH-së (VIDEO)

Në Gjirokastër nuk pati protesta nga biznesi i vogël sa i përket përfshirjes së tyre në skemën e TVSH-së. Më shumë sesa mungesë informacioni apo çështje organizimi, heshtja e tyre, për dallim nga qytetet e tjera, vinte më së shumti nga frika se mos ndoshta pas protestës i mësynin tatimorët me gjoba. Por edhe pse s’pati rezistencë prej biznesit, përfaqësues të Tatimeve në Gjirokastër kanë nisur të dalin në terren për të dhënë informacion.

Sot në krye të grupit informues ishte vetë drejtori i degës së Tatimeve në Gjirokastër, Ilir Metaj. Për të ndjekur aksionin dhe për t’i thënë publikut se biznesi është i kënaqur me përfshirjen në skemën e TVSH-së, ishin marrë kamera të Tv Gjirokastra, ndërsa të tjerët ishin mbajtur larg. Skenari i propagandës vijon. Nëse shikon kronikën e përgatitur nga televizioni, të dy tregtarët që flasin përpara drejtorit të Tatimeve, shprehen të kënaqur me përfshirjen në skemën  e TVSH-së, ndonëse çuditërisht do të shtohen kostot për ta.

Jo rastësisht, në kronikë s’ka asnjë përfaqësues biznesi që t’i ankohet drejtorit Ilir Metaj, a thua se Gjirokastra është rast unikal, ku tregtarët janë të lumtur që do përfshihen në skemën e TVSH-së. Por nëse fiken kamerat dhe drejtori i Tatimeve ikën, me siguri që asnjë prej atyre tregtarëve nuk ndihet i kënaqur që i shtohen faturat në fund të muajit. Dakord me informimin dhe transparencën karshi biznesit, por kronikat si në kohën e realizmit socialist ia kurseni publikut. Jeni duke na thënë se në Gjirokastër biznesi është i kënaqur që do të paguajë më shumë taksa. Vërtet mendoni, se e beson njëri këtë gënjeshtër me bisht?! Shihni në videon më poshtë kronikën e përgatitur nga Tv Gjirokastra. (Minuti 3:24)

©ArgjiroLajm.net