Pse Libohova do të mungojë sërish në festivalin e Gjirokastrës
Në ditët kur u njoftua përfshirja e grupit polifonik të Libohovës në fazën përzgjedhëse të grupeve që do të konkurronin më pas në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, pati një entuziazëm dhe përkrahje të gjerë në Libohovë, si nga qytetarët ashtu edhe nga pushteti vendor. Normalisht që entuziazmi ishte me vend, aq më shumë po të kemi parasysh që jeta kulturore e artistike në Libohovë është tejet e vakët, pothuajse zero. Interpretimi i këtij grupi shihej gjithë simpati dhe kushdo ishte shpresëplotë se do të ngjitej në skenën e kalasë së Gjirokastrës.
Por nuk ndodhi kështu. Grupi polifonik i Libohovës bashkë me disa grupe të tjera nuk u përzgjodhën për të vijuar konkurrimin në rang kombëtar. S’është momenti për të bërë analiza rreth vendimit të jurisë, aq më tepër për të thënë se “Libohovës ia bënë qëllimisht”, pasi përvec këtij grupi mbetën jashtë edhe shumë grupe të tjera. Analizat vlejnë të bëhen nga eskpertët e muzikologjisë, folklorit dhe isopolifonisë, por ka një moment ku duhet të ndalemi dhe të reflektojmë.
Në Libohovë bëhet shumë pak për artin dhe kulturën. Buxheti i bashkisë në këtë drejtim, me siguri është zero. Mungon mbështetja për përgatitjen e grupeve të reja, për krijimin e një bërthame të mirëfilltë artistike të Libohovës, sic e gjen në Lunxhëri apo Dropull. Përtej dashamirësisë apo, le të themi patriotizmit tonë lokal, grupi polifonik i Libohovës është pothuajse i pandryshuar për sa e sa vite me radhë. Mungon rifreskimi me elementë të rinj apo me zëra të ndryshëm që mund të sillnin pak më shumë variacion.
Nga ana tjetër përgatitja e vazhdueshme dhe me disiplinë artistike, mund ta bënte më konkurrues këtë grup. Natyrisht që ata meritojnë vlerësim për përfaqësimin që i kanë bërë Libohovës deri më tani, por është koha të kthehen sytë nga përgatitja e grupeve të reja, të cilat mund t’i japin një tjetër dimension kulturës dhe folklorit të zonës tonë. Kjo nuk bëhet pa mbështetje nga pushteti vendor, apo qoftë edhe pushteti qëndror. Nga fqinjët në Dropull na vjen një model shumë i mirë se si mbahet gjallë tradita dhe folklori. Prej vitesh, Andon Tuni, një prej njohësve të mirë të valleve dhe këngëve tradicionale, ka hapur një shkollë modeste ku të rinjtë njihen dhe edukohen me vlerat e folklorit.
Ansambli i Dropullit shkëlqen jo vetëm në festivalet kombëtare, por edhe në organizime të tjera kulturorë jashtë kufijve tanë. Ky është një shembull i mire se si duhet punuar edhe në Libohovë, në të kundërt zhgënjimet si ky që përjetuam së fundmi me grupin polifonik, do të jenë të njëpasnjëshme.