Qelitë e frikshme te “Burgu i 7 penxhereve” në kalanë e Gjirokastrës
Thonë se kush hynte në atë qeli e dinte se nuk do të dilte kurrë më, veçse për t’u ekzekutuar. Madje edhe fjalët e shkruara në gjuhën gjermane në hyrje të portës që të çonte aty “Got mit uns” (Zoti ju ndihmoftë) e tregojnë më së miri këtë. E gjithë kjo mund të tingëllojë si një legjendë, por nuk është aspak e tillë. Qelia e vdekjes, emër ky që i përshtatej më së miri, ishte një nga 50 qelitë e burgut më të madh në jug, atij të vendosur në kalanë e qytetit të Gjirokastrës e që njihej me emrin “Burgu i 7 penxhereve”, burg I ndërtuar me urdhër të mbretit Zog. Qelia kishte një funksion të kobshëm, atë të vendit ku të dënuarit me vdekje, mes një sërë torturash të jashtëzakonshme e të paimagjinueshme, prisnin ditën e ekzekutimit të tyre.
Për të shkuar në Qelinë e vdekjes fillimisht duhet të hapësh drynin dhjetëravjeçar të portës së madhe brenda kalasë së Argjirosë e më tej të ngjitësh shumë shkallë që të çojnë në korridorin e vogël ndarës ndërmjet Muzeut Kombëtar të Armëve dhe burgut- muze. Sërish nëpërmjet një porte hekuri hyn në burgun e kalasë. Në një korridor të gjatë, me mure plot mbishkrime, dyert e disa prej ish- qelive qëndrojnë të hapura. Ndërsa në fund të tij, atje ku ndodhet edhe Qelia e vdekjes, qëndron busti i dy Heroinave të Popullit, Persefoni Kokëdhima e Bule Naipi, të burgosura, të torturuara aty e të ekzekutuara po në Gjirokastër. Shkallët janë të vogla e të ngushta dhe menjëherë sapo i ke ngjitur, shfaqet një portë me hark, ashtu si ato të kalasë, megjithëse me përmasa shumë më të vogla. Si hije mbi të dallohet një mbishkrim. Pas pushtimit gjerman, nazistët që kishin nën mbikëqyrje këtë burg shkruan këtë mbishkrim “Got mit uns”, qe do te thote “Zoti ju ndihmoftë”, për t’ju treguar të gjithë të dënuarve që hynin këtu, kryesisht për motive politike, se askush tjerë veç Zotit nuk mund t’i ndihmonte apo t’i shpëtonte.
Qelia që ndodhet në një nivel më të lartë se qelitë e tjera vazhdon të jetë mjaft e errët ashtu si dikur. Një korridor tepër i vogël e i ngushtë shërben si ndarës për dy miniqeli të tjera, njëra prej të cilave ishte dhoma e torturave. Menjëherë pas korridorit të vogël, duhet të zbresësh sërish një shkallë, e cila shërbente si nivel për mbushjen e qelive me ujë. Ky i fundit hidhej nga një dritarëz, prej së cilës tashmë hyn fare pak dritë.Të gjithë të burgosurit që futeshin në këtë qeli, përgjatë gjithë kohës së qëndrimit të tyre ishin të detyruar që të qëndronin në ujë. Gjatë stinës së verës uji mbahej i nxehtë, kurse gjatë dimrit, i ftohtë. Kjo ishte e pashmangshme.
Mbi murin e njërës prej dy qelizave ndarëse, ku lagështia vazhdon të mbizotërojë, janë shkruar tri mbishkrime të njërës prej heroinave të Popullit, Bule Naipi: “E dashur nënë! Duaje dhe mbroje çdo vajzë partizane, ashtu siç më doje mua. Të rrojë Partia! Dita e çlirimit është e afërt. Partizanët do na e marrin hakun. Tradhtarëve ajo iu shkruante: “Shqiptari nuk do të burgosë një vajzë shqiptare, vetëm sepse ajo kërkon lirinë e saj dhe të popullit”.
Para gjyqit, ajo ka shkruar: ”Vajza shqiptare nuk trembet as nga plumbi, as nga litari. Ju duhet të trembeni dhe jo unë, sepse ju jeni ata që po jetoni orët e fundit”.
Ndërkohë në qelinë tjetër, e cila ka përmasa jashtëzakonisht të vogla e ku me shumë zor mund të qëndrojë një njeri, vazhdon të qëndrojë ende njëra prej veglave të torturës, një hekur, ku të dënuarit lidheshin për t’iu nënshtruar më tej rrahjeve çnjerëzore. Nuk ekziston një listë e saktë apo një shifër ekzakte e të burgosurve që kanë qenë të detyruar t’iu nënshtrohen torturave në qelinë e vdekjes”, por besohet se ata kanë qenë të shumtë gjatë 38 viteve të funksionimit të qelisë së vdekjes e kësisoj edhe të “Burgut të 7 penxhereve”.
Burgu i 7 penxhereve ka filluar të funksionojë qysh në 1 janar të vitit 1930, për gati katër dekada me radhë, duke iu shërbyer në të njëjtën mënyrë katër regjimeve të ndryshme. Pas 38 vjetësh funksionimi, në vitin 1968 një urdhër nga qeveria komuniste e asaj kohe vendosi mbylljen e më tej transferimin e tij në ish-degën e brendshme të rrethit të Gjirokastrës, pasi po në këtë vit, në kala filluan punimet për ndërtimin e Muzeut të Armëve.
Të dhënat e marra nga dokumentet zyrtare që ekzistojnë edhe sot si dhe ato të shtypit të kohës, tregojnë se ky burg është ndërtuar me porosi të veçantë nga mbreti Zog dhe punimet për ndërtimin e tij kanë filluar në vitin 1929. Gurët dhe të gjitha materialet e tjera të nevojshme për ndërtimin e tij u siguruan nga ish- ujësjellësi i kalasë. Sot, njëri prej burgjeve me të mëdhenj e më famëkeqë të vendit gjatë katër regjimeve (atij të Zogut, italian, gjerman e komunist), është thjesht një relike e kohës për të cilin rrallëkush kujtohet. Dhe po kaq të rralla i ka edhe vizitat./ Shekulli