Rama konfirmon Flamur Golemin për një mandat të dytë në krye të Gjirokastrës: Më rezulton i vetmi doktor që është i mirë edhe për të punuar (VIDEO)
Njësoj si me Alma Hoxhën në Përmet, Edi Rama ka konfirmuar edhe Flanur Golemin në Gjirokastër për një mandat të dytë. Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri vlerësoi punën e Golemit në krye të bashkisë përgjatë këtyre 4 viteve.
“Më rezulton i vetmi doktor që është i mirë edhe për të punuar. Nuk më është me qepur vetëm mua, por dua realisht ta përgëzoj”, tha Rama. Kryeministri ka vlerësuar në mënyrë të vecantë Bashkinë Gjirokastër për projektet që ka marrë nga donatorët.
“Jo aq sa Alma, por më shumë se të tjerët, Flamuri dhe Bashkia Gjirokastër janë shembull për të marrë fonde nga donatorët”, tha Rama.
Kryeministri nuk e ka kursyer edhe ironinë me pedagogët që protestojnë për rritje page.
“Merri pedagogët e “Foltores” këtu në Universitetin e Gjirokastrës dhe mësoji, jo të rrijnë aty të bëjnë selfie, por të mësojnë si bëhen projekte dhe merren financime nga donatorët”, u shpreh Rama.
Më pas kryeministri i premtoi Golemit financimin e Pallatit të Sportit në Gjirokastër. “Fondin e Pallatit të Sportit do ta marrësh menjëherë”, i tha Rama-Golemit.