Rama në Libohovë: Pa Luizën nuk ju ndihmoj dot. Me Çomon nuk bëjmë dot punë
Kryeminsitri Edi Rama ishte sot në Libohovë në një takim elektoral, për të kërkuar nga qytetarët mbështetjen e kandidates së koalicionit të majtë, Luiza Mandi në zgjedhjet e 21 qershorit. Gjatë fjalës së tij kryeministri ishte i drejtëpërdrejtë, ndërsa tha se me Luizën si kryebashkiake Libohova do të njohë më shumë investime.
“Pa Luizën nuk ju ndihmoj dot. Zgjidhni Luizën, nëse doni të investojmë në Libohovë”- tha Rama.
Duke vijuar më tej të fliste për zhvillimin e turizmit dhe lidhjen e Libohovës me Gjirokastrën si një destinacion i rëndësishm në jug të vendit, Rama ka ironizuar me kryebashkiakun aktual të Libohovës, Altin Çomo.
“Ajo që po bëjmë për Gjirokastrën, ka një peshë shumë të madhe edhe për Libohovën. Ne duam ta bashkojmë këtë projekt transformues edhe me Libohovën, por me kë ta bëjmë, me këtë lummadhin që keni ju këtu”- është shprehur Rama.
Dhe siç bën pothuajse në çdo takim tjetër elektoral, kryeministri ka treguar edhe në Libohovë historinë e një kryebashkiaku të zgjedhur nga Partia Demokratike, që donte të takohej me të, por kishte frikë mos e marrin vesh në PD.
“Kemi një grua nga Libohova, e cila është e depolitizuar, por ka ardhur këtu të mbështesë Luizën”,- tha Rama me humor, teksa ia la fjalën ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro.
Kjo e fundit vlerësoi figurën e Luiza Mandit, si një grua që ia ka dalë vetë në jetë dhe theksoi se Libohova ka nevojë për Luizën, jo Luiza për Libohovën. Kumbaro premtoi restaurim të kalasë së Libohovës dhe shtëpisë së Avni Rustemit.
“Keni shkuar ndonjëherë ta shihni se si është shtëpia e Avni Rustemit? Do ta nxjerrim në ditë të bardhë. Kalanë e Libohovës nuk vijnë ta vizitojnë. Ne do ta bëjmë të vizitueshme. Projektin e kemi nisur. Libohova bashkë me Gjirokastrën janë pjesë e projekteve tona të restaurimeve”- tha Kumbaro.
Më pas takimi vijoi me disa pyetje të ndryshme nga qytetarët e pranishëm, pyetje që kishin të bënin me probleme në infrastrukturë, në furnizimin me ujë, papunësinë etj.
Vetë kandidatja Luiza Mandi kërkoi gjatë fjalës së mbajtur para të pranishmëve, mbështetjen me votë në 21 qershor dhe tha se ajo do të jetë një kryebashkiake për të gjithë.
“Në 21 qershor, pasi ju të më këni dhënë votëbesimin tuaj si kryebashkiake e Libohovës, do më duhet që të le punën si mjeke. Por nga ky profesion fisnik që më ka shoqëruar për gjithë këto vite, do të marr me vete në Bashki përkushtimin për t’i shërbyer çdo qytetari pa asnjë dallim, do të marrë me vete Betimin e Hipokratit për të mos abuzuar kurrë me detyrën dhe për të mos cënuar kurrë interesin e Libohovës”– tha Mandi.
Përveç ministres Kumbaro dhe ministrit Ahmetaj, kryeministri Rama shoqërohej në këtë takim edhe nga deputetët e zonës, Angjeli e Tavo, kandidatja e Gjirokastrës, Zamira Rami, kryesuesja e listës së këshilltarëve të PS-së në Dropull, Mirela Leka Çabeli, si dhe përfaqësues të tjerë lokalë të mazhorancës.