Rama nis konsultat për kandidatin e Bashkisë Gjirokastër
Mëngjesin e së martës kryeministri Edi Rama, njëherazi kreu i PS, ka nisur konsultimet me deputetët e qarkut të Durrësit, Vlorës dhe Gjirokastrës për përgatitjet e këtyre zgjedhjeve. Në takim merrte pjesë dhe kryetari i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi.
Gjatë debatit vemendja u përqëndrua në nxjerrjen e emrave dinjitozë për Bashkitë e mëdha, dhe sidomos listën e kandidatëve për Këshillat Bashkiakë.
Rama ka shmangur debatet rreth emrave konkret që do kandidojnë, sidomos në Vlorë dhe Gjiroakstër.
Deputeti i Tepelenës, Dashamir Kamberi, ka ngritur problemin e Bashkisë së Memaliaj që i ka kaluar LSI, por ka marre përgjigje të prerë për të mos e hapur as si debat.
Kamberi ishte takuar para mbledhjes me një përfaqësi të PS nga Memaliaj, që kundërshton dhënien e Bashkisë për LSI.
Rama do të ketë takime të tjera dhe me deputetë të qarqeve të tjera. Në Qarkun e Durrësit duket se po shkon drejt rikandidimit Vangjush Dako, ndërsa në Vlorë ende nuk ka ndonjë emër të preferuar.
Brenda partisë janë emrat e kryetarit të partisë së Vlorës Eduart Leka dhe prefektes së Vlorës. Nga jashtë partisë është ofruar emri i një mjeku të njohur të Vlorës, Dritan Leli dhe piktorit Fate Velaj. Ndërkohë, pretendojnë dhe zyrtarë të tjerë të PS së Vlorës, si Ilir Metaj apo Sadrit Danaj.
Në Gjirokastër është favorit Artan Gjoka, në Këlcyrë Klement Ndoni, dhe në Tepelenë Tërmet Peçi. Në Përmet është favorit kryetari aktual i Bashkisë, Gilberto Jaçe, dhe është në garë Bledi Mane, Veli Mehmeti dhe Gjergji Petro.