Rama nis vizitën drejt Beogradit, e para e një kryeministri shqiptar pas 68 vitesh
Kryeministri Edi Rama rreth orës 08:00 mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza” për t’i hipur avionit i cili do ta dërgojë në Beograd. Ai është i shoqëruar edhe nga dy ministrat, atë të Jashtmin, Ditmir Bushati dhe të Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj.
Kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri shqiptar, pas 68 vitesh. Vizita e fundit ishte e liderit komunist Enver Hoxha në Jugosllavi.
Në avionin e linjës, ndodhen dhe shumë gazetarë.
Vizita e kryeministrit Rama është një vizitë e vështirë për shkak të tensioneve mes dy vendeve, por dhe faktit se kryeministri serb Vuçiç nuk hoqi dorë asnjëherë nga akuzat se vëllai i kryeministrit Edi Rama, ishte organizator i dronit me banderolën e Shqipërisë së madhe që u valëvit në stadiumin e Beogradit.
Vizita ishte parashikuar më 22 tetor por u shty për shkak të tensioneve që ndodhën pas ndeshjes të zhvilluar me Serbisë dhe Shqipërisë.
Thuhet se dy kryeministrat do të bisedojnë për rreth 20 minuta dhe më pas do të nënshkruajnë disa marrëveshje ndërshtetërore.
Kryeministri Rama, pas vizitës në Beograd do të vizitojë edhe Preshevën, më 11 nëntor.