Raporti, ISIS i janë bashkuar më shumë shqiptarë se afganë e palestinezë
Rreth 240 shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria është numri i atyre që besohet se po luftojnë për Shtetin Islamik në Siri dhe Irak. Ky numër i publikuar nga ‘Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizmit’ nga Londra tregon që në territoret e okupuar nga organizata terroriste po luftojnë më shumë shqiptarë se shumë popuj të tjerë nga e gjithë bota.
ICSR tregon se ka më shumë shqiptarë se afganë, palestinezë e, edhe më shumë se plot banorë të vendeve të perëndimit. Sipas ICRS-s, janë 90 banorë nga Shqipëria që thuhet se po luftojnë në territoret e pushtuara nga Shteti Islamik, ndërsa nga Kosova dyshohet se janë nga 100-150 persona.
Nga vendet e Ballkanit, vetëm Bosnja e Hercegovina dyshohet se ka më shumë nënshtetas të saj që luftojnë për organizatën terroriste, më saktë 350 persona, raporton ‘Bota sot’. Nga vendet e tjera evropiane, Franca është ajo që e ka numrin më të madh të banorëve që luftojnë për ISIS-in, me 1200 nënshtetas që luftojnë në Siri dhe Irak. Më së shumti ka nga Arabia Saudite, më saktë nga 1500-2500,dhe nga Tunizia prej të cilës besohet se deri në 3 mijë persona po luftojnë për organizatën terroriste.